1 perditesime
18:52

Dodiku thotë se do të përdorë veton në njohjen e Kosovës nga Bosnja

Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, ka thënë se do të fillojë mekanizimin e interesit jetik kombëtar për të bllokuar Presidencën nga miratimi i një vendimi për t’i dhënë Kosovës njohjen si shtet i pavarur.

“Do të ngriti interesin jetik kombëtar”, ka thënë Dodik të enjten, pas një sesioni presidencial në të cilin kolegët e tij boshnjak dhe kroat në këtë institucion, Sefik Xhaferoviq dhe Zeljko Komshiq, të cilët kanë votuar në favor të njohjes së Kosovës, transmeton KOHA.

Kjo do të thotë se Dodiku do të pyesë parlamentin e njësisë gjysmë-autonome Republika Srpska, me shumicë serbe, që të votojë për këtë çështje, e cila me shumë gjasë do të votojë kundër njohjes së Kosovës.

Dodiku në vazhdimësi ka thënë se nëse njihet pavarësia e Kosovës atëherë Republika Srpska gjithashtu duhet të ketë të drejtën e shkëputjes nga Bosnja.

“Kosova nuk duhet të njihet sepse Republika Srpska nuk e sheh atë si një shtet të pavarur dhe nuk mund të pranojë një praktikë krejtësisht ndryshe në situatë identike. Në këtë rast po thyhet integriteti territorial i Serbisë”, ka thënë Dodik.

13:17

Dodiku pamundëson njohjen e Kosovës nga Bosnja e Hercegovina

Votimi kundër i anëtarit serb të presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka pamundësuar njohjen e Kosovës nga ky shtet, edhe pse në presidencë, dy anëtarët tjerë ishin pro.

Siç ka bërë të ditur njëri anëtar, Zhelko Komshiq, të enjten në mbledhjen e presidencës ai dhe kryesuesi Shefik Xhaferoviq votuan pro njohjes së Kosovës, por ishte Dodiku ai që doli kundër.

“Dodiku nuk ka pranuar njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Votuam 2 me 1 për këtë vendim. Ai ishte kundër dhe kjo do të jetë çështje për javët e ardhshme. Pritet që Dodiku të kërkojë mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe dhe të prezantojë aty çështjet ku Kosova lidhet me 'storie të rrezikshme që mund të përshkallëzojë në storie ndarjeje', dhe besoj se e dini të gjithë ku shpien kjo”, ka thënë Komshiq, raporton “Klix”.

Vendimi për çështjen e Kosovës nuk është përfundimtar. Palët janë pajtuar të ketë votim të dytë në mbledhjen e ardhshme, dhe nëse sërish rezultati është 2:1, Dodiku pritet të tërhiqet nga disa kërkesa të tij dhe të dërgojë çështjen e Kosovës në Asamble ku konsiderohet e sigurt se e ka të sigurt mbështetjen.

Komshiq po ashtu ka bërë të ditur se ai dhe Xhaferoviq kanë votuar kundër iniciativës së Dodikut që ambasada e BeH-së të zhvendoset në Jerusalem.

Ai ka thënë edhe se Dodiku ka përmendur marrëveshjen në Washington dhe ka ndërthurur atë për të cilën Aleksandar Vuçiq dhe Avdullah Hoti janë dakorduar dhe konform kësaj është konsekuent edhe në lidhje me Kosovën.

“Kosova është realitet. Kosova është shtet i pavarur dhe të gjithë e dimë. Të ikësh nga kjo, është politikë struci që fut kokën në rërë para rrezikut”, ka thënë Komshiq, duke shtuar se kushdo që frikësohet nga vendimet si ajo për njohjen e Kosovës nuk duhet të qëndrojë në kryesinë e BeH-së.

Sa i përket çështjes së “Mini-Schengenit”, presidenca e Bosnje dhe Hercegovinës ka vendosur ta përkrahë, por fillimisht duhet parë se si është paraparë bashkëpunimi.