Deputetja Mimoza Kusari-Lila në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se Mini-Schengeni e ka shpalosur paaftësinë e palës kosovare në dialog.
“Mini-Schengeni e përshkruan më së miri paaftësinë e Kosovës në këtë proces negociator. Në fakt e ka treguar defektin që Kosova e ka pasur me procesin si të tillë prej momentit kur ka filluar trajtimi, në veçanti në dy vitet e fundit kur nuk kemi pasur fare transparencë për arsye se Mini-Schengeni nuk është hera e parë që është përmendë”, ka thënë Kusari-Lila. “E dyta, e tregon mangësinë me përmbajtjen, nuk kemi pas në asnjë pikë pronësi në përmbajtje të temave që janë trajtuar dhe e treta me formatin e negociatave, gjegjësisht se kush e përfaqëson Kosovën dhe në çfarë mënyre merren vendimet”.
Ajo ka kujtuar edhe një debat në Kuvend ku politikanët janë shprehur decidivisht kundër Mini-Schengenit.
“Madje në një debat që kam pasur me Hotin dhe Selim Selimin, ata jo që i kanë mohuar por i kanë quajtur edhe hipoteza. E kanë lëvizë në një rrafsh të keqkuptimit tim, që unë e paskam keqkuptuar me zonën Shenzen dhe jo me Schengenin. Aty edhe drejtpërdrejt janë zotuar dhe kanë shikuar si me ofendim ato përmendjet e Mini-Schengenit. Ende më keq nuk kanë dhënë përgjigje as për Ujmanin, e as për asetet e Trepçës”, ka thënë ajo.
Mini-Schengeni, sipas Kusari-Lilës, ka nisur pesë vjet më parë në Serbi.
“Ndoshta në vizitat e Ramës atje, pastaj është aktualizuar vitin e kaluar kur ka qenë taksa në fuqi. Dhe në njëfar mënyre për të evituar ngecjet në lëvizjet tregtare ndërmjet Kosovës, Serbisë e Bosnjës është prezantuar ideja e krijimit të kësaj zone. Tash e kemi një format ku krijohet lëvizja e lirë brenda”, thotë ajo.
Kusari-Lila shton gjithashtu se Kosova ka qenë e përfaqësuar në nivel rajonal me Marrëveshjen e CEFTA-s.