17:38

Gjuriq: Për Serbinë, të enjten në Bruksel temë e parë do të jetë Asociacioni

Pak pasi emisari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, njoftoi se të enjten në Bruksel Kosova e Serbia do të diskutojnë për çështjet financiare, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se për palën serbe temë e parë në takim do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Faleminderit për mikpritjen. Çështja e parë në agjendë nesër do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Të paktën për palën serbe. Ajo për të cilën jemi pajtuar me ndërmjetësim të BE-së, shtatë vjet e gjysmë më herët. Po ajo”, ka shkruar ai në Twitter si përgjigje ndaj Lajçakut.

Tutje, Gjuriq ka thënë se në agjendë mund të jenë edhe çështjet e pronave.

“Kemi shumë për të thënë për këtë çështje (pronat private, kishat e pronat shtetërore)”, ka thënë Gjuriq.

17:08

Të enjten Kosova e Serbia diskutojnë për çështje financiare, thotë Lajçaku

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se të enjten në Bruksel dy shtetet do të diskutojnë për çështje financiare.

Sipas tij, pas këtyre diskutimeve, në tavolinë, në ditët e ardhshme, do të jenë në vijim çështjet për komunitetin jo shumicë.

“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti janë pajtuar që ekipet negociatore të diskutojnë për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe rregullimin e çështjeve për komunitetin joshumicë. Të dyja çështjet janë shumë komplekse. Prandaj ne do të diskutojmë çështjet financiare nesër dhe çështjet për komunitetin joshumicë në ditët e ardhshme”, ka shkruar ai në Twitter.

Të mërkurën, presidenca e Kosovës i ka kërkuar në mënyrë urgjente Kuvendit të Kosovës që të votojë një rezolutë që do t’ia ndalonte kryeministrit Avdullah Hoti negocimin e çështjeve të brendshme të Kosovës dhe temave që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror. Presidenca e ka cilësuar “gabim të madh dhe të rrezikshëm” hapjen e temave për të drejtat e komuniteteve dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.