23:59

Kurti: Shifra e vrasjeve të grave është alarmante

Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka folur për shifrat e vrasjeve të grave në Kosovë brenda vitit, ndërsa ka treguar se për këto vrasje dhe dhunën duhet të japë përgjegjësi zinxhiri institucional, nga policia deri te gjykata. Sipas saj po të funksiononte ky zinxhir do të triumfonte drejtësia.

Ajo ka thënë se shifrat e vrasjeve të grave dhe dhunës ndaj grave janë alarmante.

“Dje është publikuar një lajm se 17 gra kanë vdekur, janë vrarë prej bashkëshortëve të tyre, apo familjarëve. Nuk kemi nevojë të dimë më tepër për arsye, kur e dimë se janë vra 17 gra. Për Kosovën është numër i madh. Janë 56 tentim vrasje. Çka ato që janë quajtur vetëvrasje. E ato tentim vrasje që janë kualifikuar si vepra të dhunës në familje. A është drejtësia vetëm për burrat? Sa gra duhet të vdesin që institucionet të marrin parasysh dhe të japin drejtësi për gratë që kanë përjetuar dhunë në familje, po përjetojnë, janë plagosur e që janë vra. Ne duhet të flasim për to. E dimë edhe prej monitorimeve se janë veprat për tentim vrasje që janë kualifikuar vetëm si dhunë në familje. E kemi një rast specifik që është dënuar shtatë muaj paraburgim me kusht një person, për një rast të cilësuar si dhunë në familje, ndërsa ai ka tentuar të vrasë gruan me sëpatë. Çfarë për rastet që nuk i dimë dhe që i fshehin policia e gjykata”, ka thënë Kurti në Interaktiv të KTV-së. “Është zinxhiri dhe po ta bëhej mirë puna nga secili, do të triumfonte drejtësia. Është për të ardhur keq dhe po ndjejmë revoltë për këto raste. Institucionet e drejtësisë, komplet zinxhiri nga policia deri gjykata, duhet të japin përgjegjësi e të marrin situatën në dorë. 17 vrasje e 56 tentim vrasje nuk janë pak. Situata është alarmante. Kemi bërë situatë alarmante për shumë gjëra në Kosovë e duhet të bëjmë edhe për dhunën ndaj grave. Pasi pos që po të vranë bashkëshorti apo po të dhunon, po ka edhe dhunë institucionale. Gjykatat janë të krijuara për të mbrojtur qytetarët e Kosovës për të jetuar pa frikë e pa diskriminime gjinore”.

Ajo ka treguar edhe se nesër do të organizohet një tubim para Prokurorisë në Kosovë. Është treguar se është bërë kërkesa për të protestuar, por nuk është dhënë leje për shkak të masave antiCOVID. Dhe se do të jetë një tubim i pesë personave.

“Do të protestojmë nesër për këtë gjendje alarmante. Nuk po na lejohet prej policisë. Për shkak të ligjit të Qeverisë për antiCOVID mund të mblidhemi më shumë se 5 veta. Po bëjmë tubim me pesë veta, që fatkeqësisht është jashtëzakonisht keq për neve marrë parasysh situatën. Nuk po lejohet protestë që është për arsye kaq të madhe dhe është në ambient të hapur. Po lejohet shumë mbledhje e ahengje të ndryshme me 50 “, ka thënë Kurti.

23:51

Kurti për uljen e dënimit për Ndrecajn: Institucionet kanë bërë krim dy herë

Erza Kurti nga Rrjeti i Grave në Interaktiv të KTV-së ka thënë se institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë bërë krim dy herë kur kanë marrë vendim që të ulin dënimin për Pjetër Ndrecajn.

Sipas saj një gjë e tillë i inkurajon vrasësit, derisa dekurajon gratë që të raportojnë rastet.

Ndrecajt i është ulur dënimi me burgim në 24 vjet e gjysmë, nga dënimi i përjetshëm që e kishte marrë më herët për vrasjen e gruas së tij Valbona Ndrecajt dhe vajzës së tij nëntë vjeçare, transmeton KOHA.

“Sipas ligjit do të duhej që abuzuesi të largohej nga shtëpia, e jo gruaja si viktimë. Në realitet ligji nuk implementohet. Ato shkojnë në strehimore mirëpo aty nuk munden me ndejtë edhe aq gjatë, mirëpo ka edhe të tilla që qëndrojnë më shumë se një vjet për shkak të rrezikut”, ka thënë Kurti.

Sipas saj komunat do të duhej të kishin më tepër banesa sociale për këto raste.

“Kemi bashkëpunim edhe me strehimoret, shumica prej tyre janë anëtare të RRGK-së dhe kemi raste kur i referojmë disa gra çoftë për strehim ose për ndihmë psikologjike që strehimoret e kryejnë papagesë”, ka thënë ajo. “Në fund të vitit do të publikojmë në një hulumtim ku do të paraqiten puna e secilit institucion të drejtësisë që kanë të bëjnë me dhunë në familje”.

Ajo ka thënë se ka raste kur gratë i falin bashkëshortët e tyre, derisa shkojnë të jetojnë sërish me abuzuesin.

Kurti ka shprehur shqetësimin për uljen e dënimit për Pjetër Ndrecajn.

“Rrjeti i Grave është jashtëzakonisht i shqetësuar me këtë vendim duke e ulë burgimin e përjetshëm, në këtë masë kaq të madhe pasi po flasim për një vrasje të dyfishtë dhe një vrasje me paramendim. Institucionet e drejtësisë kanë bërë krim dy herë këtu. Njëherë duke mos parandaluar vrasjen dhe së dyti tash me uljen e dënimit”, ka deklaruar Kurti. “Ky është inkurajim për vrasësit, dhunuesit dhe është dekurajim për gratë që vazhdimisht përjetojnë dhunë në familje. Në momente që vendime të tilla jepen është dekurajim që ato të mos raportojnë rastet”.

23:40

Vetëdijesimi i grave, ndër shkaqet e rritjes së raportimeve të dhunës në familje

Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se që nga fillimi i pandemisë në Kosovë është raportuar rritje prej 30 për qind e rasteve të dhunës në familje, krahasuar me një vit më herët. Sipas saj, rritja e raportimeve është për shkak të vetëdijesimit të grave se dhuna duhet të raportohet.

Më 2019, Kurti ka thënë se ishin raportuar 1915 raste të dhunës në familje. Më së shumti janë raportuar për dhunë ndaj grave.

“Nga fillimi i pandemisë u bë një monitorim edhe prej nesh dhe organizatave të tjera. Izolimi ka ndikuar në gjithë botën, por nëse i shohim statistikat nga viti në vit shohim se ka rritje të rasteve. Kjo mund të ndodhë sepse është rritur vetëdijesimi se dhuna duhet të raportohet si shkas i shumë fushatave. Mund të themi se është edhe një vetëdijesim për rritje të raportimeve. Por duhet të dimë që gjatë izolimit mund të ketë shumë raste të paraportuara për shkak të vështirësive të jetesës me një abuzues në formë të izoluar”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

Kurti po ashtu ka thënë se pika kyçe e raportimit ka qenë në momentin kur viktimat ndihen jashtëzakonisht të rrezikuara apo kur ndodh ndonjë vepër e rëndë, që ndoshta edhe dikush tjetër e raporton rastin.

“Ka pasur raste kur kanë jetuar 40 vjet pa raportuar raste. Ndër arsyet është mentaliteti patriarkal që e lë fajin te gratë që edhe duhet të ruhet familja edhe të kujdeset për fëmijët. Edhe gjatë monitorimit në gjykata kemi vënë re se gjyqtarë e punëtorë socialë i lusin gratë t’u kthehen bashkëshorteve që të ‘mos i bëjnë punët e vogla të mëdha’. Këto janë shtysë që gratë hezitojnë të raportojnë dhunën kur s’kanë mbështetje institucionale. Por janë edhe kushtet ekonomike. Andaj duhet të funksiononte programi i rehabilitimit”, ka thënë ajo duke kërkuar edhe banesa sociale për gratë që ndihen të rrezikuara të jetojnë në shtëpi me bashkëshortin.