Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka cilësuar partner jo të besueshëm Serbinë, pak ditë pasi shtetet nënshkruan një marrëveshje për “normalizim ekonomik” në Washington.
Të martën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shpreh falënderues për Palestinën rreth “qëndrimit parimor për mosnjohjen e Kosovës”. Për këtë, Haradinaj-Stublla ka thënë se bie ndesh me zotimet që nënshkruan liderët në Shtëpinë e Bardhë.
“Kosova po i ndjek me shqetësim veprimet destruktive të presidentit Aleksandar Vuçiq që po shkel pikën e 15-të të Marrëveshjes së Washingtonit, të ndërmjetësuar nga Presidenti i SHBA-së. Sot ai falënderoi ambasadorin palestinez, Nabhan, për ‘qëndrimin parimor për mosnjohjen e Kosovës. Fatkeqësisht, Serbia mbetet partner jo i besueshëm”, ka shkruar ajo në Twitter.
Në pikën e 15-të të marrëveshjes theksohet se Serbia duhet të ndalë fushatën e çnjohjeve për Kosovën për një periudhë njëvjeçare. Në këtë pikë po ashtu, Kosova u zotua të mos kërkojë anëtarësime në organizata ndërkombëtare për periudhën e njëjtë.