Arbëri

Në Shqipëri rreth 480 mijë nxënës sot nisin vitin e ri shkollor me protokoll sigurie kundër COVID-19

Nis sot viti i ri shkollor 2020-202, ku rreth 480 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollave, ndonëse në një situatë aspak të zakonshme.

Për shkak të situatës nga pandemia e koronavirusit, në shkolla do të ndiqen një protokoll i veçantë sigurie, në mënyrë të tillë që të minimizohet përhapja e COVID-19. Kështu, ndryshe nga vitet e tjera, ky vit shkollor do të zhvillohet për disa shkolla me 2, 3 apo dhe 4 turne, në mënyrë të tillë që fluksi i nxënësve të jetë më i vogël në klasa, pasi nëpër banka lejohet vetëm nga një fëmijë dhe të pajisur detyrimisht me maska.

Mësohet se rreth 30 mijë mësues të angazhuar për vitin e ri shkollor, ndërkohë që mësimi nuk do të nisë në të gjitha shkollat, pasi disa prej tyre janë në fazë rikonstruktimi për shkak të dëmtimeve nga tërmeti.

Një ditë para nisjes së vitit të ri shkollor e rihapjes së klasave, Ministrja e Arsimit, Besa Shahini rikujtoi rëndësinë e masave anti-COVID. Shahini theksoi dje se “nxënësit i pret një normalitet i ri”. Që të ruhet shëndeti i të gjithëve e të sigurohet proces i mbarë shkollor, ministrja nënvizoi se duhet mbajtur maska, si dhe të respektohen distanca e të tjera rregulla. Aktualisht, 94 shkolla nuk do të hapin dyert sot por më vonë. Viti i ri shkollor nis sot dhe në Kosovë ku janë shpërndarë 500 mijë maska për nxënësit e mësuesit. Mbajtja e tyre është e detyrueshme, ashtu si respektimi i distancës e higjiena/BalkanWeb.