Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar reagimet e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Në një postim në Facebook, Mustafa ka thënë se është duke i përcjellë “sulmet që po i bëhen nga kryeministri Hoti nga Lëvizja Vetëvendosje, në njërën anë dhe nga Presidenti i Serbisë, në anën tjetër, lidhur me Asociacionin (apo ‘Zajednicën’, me gjuhën e VV-së)”.
Duke komentuar një deklaratë të Vetëvendosjes në një konferencë për media se “ne do ta mbrojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, nga kushdo e posaçërisht nga kryeministri ilegjitim Hoti”, Mustafa ka postuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin më 2015.
“Ndërkaq, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë: Gjykata Kushtetuese, në mbështetje te nenit 84 (9) ne lidhje me nenin 112.1 të Kushtetutës, ne mbështetje me nenin 20 te Ligjit dhe me rregullin 56 (a) te Rregullores së punës, në seancën e mbajtur me 21 dhjetor 2015, me shumicë votash
VENDOS
I. TE DEKLAROJE kërkesën te pranueshme;
II. TE KONSTATOJE qe Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumice serbe do te themelohet, siç është parapare me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës se Kosovës...”, thuhej në vendim.
Sipas Mustafës, “kjo le të konstatohet se LVV pajtohet të themelohet Asociacioni sipas Marrëveshjes së nënshkruar nga z. Thaçi, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese”.
“Ndërkaq, Vuçiqi ishte pajtuar në Marrëveshjen mbi parimet, të cilën e nënshkruam në vitin 2015 që Asociacioni do të themelohet pasi që Gjykata Kushtetuese konstaton se vendimi i Qeverisë dhe Statuti, (përfshirë edhe ndryshimet e tij) janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Kjo dispozitë nuk gjendet në Marrëveshjen e Parë!”, ka përfunduar postimin e tij Mustafa.
Mustafa ishte kryeministri që kishte nënshkruar marrëveshjen e vitit 2015. Ajo marrëveshje ishte konstatuar nga Gjykata Kushtetuese se binte ndesh në më shumë se 23 pika me Kushtetutën e Kosovës.