Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të punimeve rehabilituese në sistemin e ujitjes Radoniqi – Dukagjini.
Hoti tha se “pas 4-5 vjetësh një projekt që e kanë filluar me Qeverinë Mustafa, që pastaj ka vazhduar të zhvillohet tutje në Qeverinë Haradinaj, po përfundon sot si fazë e parë e një projekti që ka filluar para 30 e më shumë vjetëve”.
Siç njofton kumtesa nga kryeministria, Hoti tha se ata që kanë punuar përpara në sistemin e Radoniqit e kanë të qartë çfarë revolucioni praktikisht ka krijuar ky projekt në fushën e bujqësisë.
“Unë jam shumë i nderuar që sot jam këtu me të gjithë të pranishmit, të nisim këtë projekt vetëm si fazë e parë, me shpresë që ministri me dinamikën e punës që e ka, shpejt të përfundojë komplet master planin për sistemin e ujitjes së tokave bujqësore në mbarë Kosovën dhe do t’i rrimë gati që atë master plan ta kthejmë në plan pune, të investimeve në mbarë Kosovën për të zgjeruar tokat bujqësore që janë nën ujitje”, tha Hoti.
Tutje theksoi se me këtë sistem mund të mbulohet hapësira prej 5 mijë hektarësh, me shpresë që shpejt të funksionalizohet edhe pjesa tjetër, që janë edhe 4 mijë apo 5 mijë hektarë shtesë deri në 10 mijë hektarë, duke thënë se duhet të kujdesen që për një periudhë 3-5 vjet të shtrijnë në të gjithë hapësirën deri në 30 mijë hektarë, deri poshtë në Prizren dhe Suharekë, ku integrohen të dy sistemet e ujitjes.
“Nuk ka investim më produktiv, sesa investimi në fushën e bujqësisë, sepse sistemi i ujitjes së tokave bujqësore e rrit produktivitetin e prodhimit bujqësor së paku tri herë krahasuar me produktivietin në toka që nuk kanë ujitje dhe tash me këto zhvillimet ndërkombëtare, me pandeminë, kur sistemi i furnizimit me produkte bujqësore është i penguar dhe i vështirësuar, për shkak të komplet riorientimit të tregtisë globale, është e rëndësishme që ne të kemi prodhime vendore për të plotësuar së paku nevojat vendore dhe të koncentrohemi në ato produkte që vërtet kemi përparësi”, tha tutje Hoti.