Arbëri

Hoti: Kemi bërë hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë pas takimit me presidentin e Serbisë në Washington, se janë bërë hapa të mëdhenj para drejt një marrëveshjeje.

Ai nuk ka dhënë shumë detaje se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë, por ka shtuar se nesër, pritet të ketë nënshkrim të asaj që sot janë dakorduar.

“Kishim një takim me presidentin serb dhe këshilltarin O’Brien dhe ambasadorin Grenell dhe ekipet e SHBA-së që mbështesin këtë dialog të përqendruar te temat ekonomike. Nesër presim ta finalizojmë gjithë këtë angazhim që kemi pasur tash e sa kohë. Informata më në detaje do të keni nesër pas përmbylljes... Një gjë mund të them që marrëveshje të dëmshme e të papranueshme për Kosovën asnjëherë s’kanë ardhur e s’do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë. Kemi bërë progres të madh në çuarjen përpara në bashkëpunimin ekonomik. Për çdo gjë që flasim me Serbinë, qëllimi ynë është njohja reciproke. Sot kemi bërë hap të madh. Nuk është shtruar (çështja e kufijve), as nuk do të shtrohet asnjëherë. Asnjëherë. Jemi plotësisht brenda parimeve që kemi si qeveri. Ju do të shihni nesër marrëveshje sepse kështu është dakordimi. Nesër do të shihni gjithçka që jemi marrë vesh. Kemi bërë hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale”, ka thënë Hoti.