Arbëri

Asociacioni dhe çështjet e pronësisë, temat e takimit të radhës në Bruksel

Asociacioni dhe çështjet e pronësisë, temat e takimit të radhës në Bruksel
 

Në kohën kur vëmendja është fokusuar te takimi i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian është nxituar të konfirmojë se të hënën (7 shtator) edhe në Bruksel do të zhvillohet një takim i radhës i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut që e lehtëson vetë. Këtë e ka konfirmuar së pari në konferencë për shtyp, Peter Stano, zëdhënës për çështje të jashtme, e më pas edhe përmes një komunikate me shkrim të lëshuar nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS).

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pas Washingtonit do të takohen në Bruksel të hënën për të diskutuar krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe kërkesat financiare dhe pronësore të palëve. Ndonëse nuk është thënë në mënyrë të prerë se do të diskutohet për kërkesën e vazhdueshme të Serbisë që të zbatohet marrëveshja për krijimin e asaj që Kosova e quan “Asociacion”, serbët “Bashkësi”, e BE-ja “Asociacion/Bashkësi” të komunave me shumicë serbe, kjo shihet qartë prapa fjalisë ku përmendet se do të diskutohet për çështjet lidhur me aranzhimet për “komunitetet joshumicë”.