Arbëri

​GAP: Kryetarët e komunave kanë realizuar 364 nga 903 premtimet në fushatën zgjedhore më 2017

Nga 903 premtime të evidentuara nga Instituti GAP nga kryetarët e komunave të Kosovës, gjatë fushatës zgjedhore më 2017, deri në qershor të 2020-s janë përmbushur 364 premtime, 185 janë realizuar pjesërisht, 206 kanë filluar të përmbushen, e për 148 nuk është evidentuar asnjë nismë në përmbushjen e tyre, sipas të dhënave më të fundit të Institutit GAP në platformën “Letërnjoftimi i Komunave”.

Ky institut ka bërë të ditur se numri më i madh i premtimeve është realizuar në fushën e çështjeve sociale (74%), fushën e bujqësisë (57%) dhe atë të administratës (53%).

Ndërsa shkalla më e ulët e përmbushjes së premtimeve është shënuar në fushën e kulturës (28%) dhe atë të urbanizimit (22%).

Kryetarët e komunave në Kosovë kanë përmbushur 41 për qind të 339 premtimeve në Infrastrukturë, e 30 për qind të 126 premtimeve në Arsim.

“Në pjesën më të madhe të periudhës së gjashtëmujorit të parë të 2020 komunat janë përballur me gjendje të renduar si pasojë e pandemisë COVID-19. Përkundër kësaj, rezultatet e dala nga vlerësimi i përmbushjes së premtimeve, tregojnë për një performancë të mirë të pushtetit lokal në përmbushjen e planeve dhe projekteve të parapara”, thuhet në njoftimin e GAP-it që bën monitorimin në 26 komunat nga 38, pasi në 12 nuk kishte pasur fare fushatë zgjedhore.