2 perditesime
15:16

Zbulohet busti i ish-senatorit amerikan Dole në Prishtinë, ai nga Amerika falënderon Kosovën

Nën intonimin e dy himneve, të Kosovës dhe atij të Amerikës, është mbajtur ceremonia e zbulimit të bustit të ish-senatorit amerikan, Bob Dole.

Të pranishëm thanë se kjo është  ditë historike për Kosovën, teksa e cilësuan senatorin Dole si kryesorin për shtetësinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Arian Zeka kryetar i OEK-ut tha se është nder për ta që të jenë pjesë e kij aktiviteti për senatorit Bob Dole.

“Është nder për OEK që të jemi pjesë e këtij aktiviteti të senatorit Bob Dole. Jehona e vizitës së senatorëve 30 vite më parë i dha jehonë të madhe. Busti është rikujtim për ne dhe për gjenerata pas nesh për ta kujtuar kontributin e SHBA-së”, tha ai.

E me një video-mesazh, ish-senatori Bob Dole, ka falënderuar shtetin e Kosovës për ngritjen e bustit të tij, teksa ka thënë se i vjen keq që nuk ka mundur të jetë në Kosovë.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën para 30 vjetëve. Tridhjetë vite kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, tha Dole.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se është nder i veçantë zbuli i bustit të një personi siç është senatori Bob Dole.

“Senatori Dole është i pari që ka vizituar Prishtinën dhe presidentin Ibrahim Rugova në kohët më të vështira”, tha Hoti.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se ky bust do të jetë mësim për gjeneratat e ardhshme. Tha se senatori Dole ka qenë kryesori i themelimit të shtetësisë së Kosovës.

“Është vërtetë nder për mua që pas një pune të ish-kryeministrit ta zbulojmë bustin e ish-senatorit Dole. Po ta lexosh CV-në e tij do të impresionohesh. Jam i bindur se ky bust edhe gjenerata e ardhshme do të mësojnë për kontributin e tij. Senatori Dole ka qenë kryesori që ka vendosur themelin e shtetësisë së Kosovës”, tha Hoti, raporton Ekonomia Online.

E ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett tha se senatori Dole ka qëndruar stoik për ta ndërtuar shtetësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se sot nuk po e zbulojmë vetëm një shtatore,  por po e kremtojmë jetën e një prijësi për liri.

Kjo shtatore u zbulua në shënimin e 30 vjetorit të vizitës së senatorëve amerikan në Kosovë, ku ishte edhe ish- senatori Bob Dole

Ndërtimi i bustit të senatorit Bob Dole u bë nga artisti i njohur Luan Mulliqi. Projekti u financua nga Oda Amerikane në Prishtinë.

Ish-presidenti Bill Clinton, ish-sekretarja e shtetit, Madeline Albright dhe tani Bob Dole, janë personalitetet të cilave u janë bërë buste në kryeqytetin e Kosovës.

11:35

Zbulohet pllaka përkujtimore në përvjetorin e vizitës së parë të senatorëve amerikanë në Kosovë

Në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore kushtuar tridhjetë vjetorit të vizitës në Kosovë të delegacionit të parë të Senatit të SHBA-se, i kryesuar nga senatori Bob Dole.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se kjo ditë shënon kthesën e madhe për liri dhe pavarësi të Kosovës, me ardhjen e delegacionit nën masa të rrepta të focave serbe.

Aktualisht është hapur edhe një ekspozitë me fotografi me rastin e tridhjetë vjetorit të vizitës në Kosovë të delegacionit të parë të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa, në orën 13:30 pritet që të zbulohet edhe busti i Dole me një ceremoni prej së cilës do të adresohen kryeministri i Kosovës, ambasadori i SHBA-së, etj.

08:35

Sot në Prishtinë zbulohet busti i ish-senatorit amerikan Dole

Sot në Prishtinë do të zbulohet busti i ish-senatorit amerikan Robert Joseph Dole. Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës ka njoftuar se busti do të zbulohet me rastin e 30 vjetorit të vizitës së delegacionit të Senatit të SHBA-së të udhëhequr nga Dole.

Ceremonia e zbulimit të bustit do të mbahet në ora 13:30 në rrugën Bob Dole në lagjen Dardania në Prishtinë, ndërsa të pranishmëve dhe mediave do t'u drejtohen Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, Ambasadori i SHBA në Kosovë Philip Kosnett dhe drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka.

Po ashtu, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla do të bëjë zbulimin e pllakës përkujtimore për nder të këtij përvjetori në sheshin Nënë Tereza para Grand Hotel Prishtina, në ora 11:00.

Ndërsa, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të hapë ekspozitën e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të senatit amerikan më 29 gusht të vitit 1990. Hapja e ekspozitës do të bëhet në ora 11:10 para Grand Hotel Prishtina./KSP