Arbëri

Pupovci: Mësimi online mund të jetë forma e vetme e mundshme për arsimin në Kosovën

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se mosgatishmëria e shtetit për organizimin e testit të arritshmërisë, ngre pyetjen sa do të jenë të gatshëm për fillimin e vitit shkollor, të paralajmëruar për 14 shtator.

Sipas tij, janë tri arsye pse u mor vendimi për shtyrjen e vitit shkollor për 14 shtator, derisa u dhanë premtime se do të fillonte më 1 shtator.

“E para, në Kosovë pandemia është jashtë kontrollit dhe askush nuk dëshiron ta merr përgjegjësinë për pasojat që mund të dalin nga kthimi i nxënësve në objekte shkollore. E dyta, hapja e shkollave në kohë të pandemisë kërkon kushte sanitare të veçanta, përderisa në shkollat tona mungojnë mjetet elementare higjienike, ndërsa niveli i pastërtisë lë shumë për të dëshiruar. E treta, përgatitjet për vitin e ri shkollor janë bërë në nivelin e politikave (zhvillimi i skenarëve, manualeve, etj.), por jo edhe në terren: fushata informuese, trajnimet e mësimdhënësve, furnizimi i shkollave me mjete higjienike”, ka shkruar Pupovci në Facebook.

Pupovci ka thënë se hapja e shkollave do të lë mundësinë e rritjes së rasteve me koronavirus, që më pas do ta rikthejë mësimin online.

Pavarësisht masave për parandalimin e përhapjes së virusit, Pupovci thotë se “nuk ka asnjë garanci që dy-tri javë më pas mësimi nuk do të ndërpritet për shkak të shpërthimit të infeksioneve që burim kanë shkollën”. Për këtë ai shton se duhet të bëhen të gjitha përgatitjet për mësim online deri në gjetjen e ilaçit për virusin.

Edhe pse nuk e sheh si zgjidhje më të mirën mësimin online, Pupovci thotë se “është më mirë sesa të mos ketë fare mësim”.