Arbëri

Çështja e të zhdukurve dhe bashkëpunimi ekonomik, temat e takimit në nivel ekspertësh Kosovë – Serbi

Dialogu mes Kosovës e Serbisë, në nivel ekspertësh është duke vazhduar në këto momente në selinë e shërbimit të veprimit të jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel. Sipas burimeve të Bashkimit Evropian, por edhe të palëve, temë e diskutimit sot janë çështja e të zhdukurve dhe tema e bashkëpunimit ekonomik, raporton KOHA.

Të dyja këto tema ishin në tryezën e diskutimit edhe në takimin e fundit që ishte zhvilluar në fund të muajit korrik në Bruksel.

Gjatë ditës palët së pari kanë pasur takime bilaterale me përfaqësues të BE-së për të vazhduar pasdite me takime trepalëshe, me temat e dialogut në praninë e të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit nga BE-ja.

Takimi vjen një javë para takimit të nivelit të lartë në Uashington, i ftuar nga SHBA-ja. Evropa e sheh takimin në SHBA si ndihmë në dialog dhe jo si garë.

Kosova po përfaqësohet në këtë takim nga koordinatori shtetëror për dialog, Skënder Hyseni. Ndërsa Serbia ka përfaqësues Marko Gjuriq, drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.