Arbëri

Gjithsej 457 të vdekur në Kosovë, Agani thotë se koronavirusi do të lërë pasoja në shëndetin mendor

Nëntë persona kanë vdekur nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit, duke bërë që numri i rasteve me fatalitet nga ky virus të shkojë në 457.

Nga 455 mostra të marra nga SHSKUK-ja, gjurmimi i rasteve në terren dhe laboratorët privatë, janë regjistruar 169 raste të reja pozitive, derisa janë shëruar 197 persona.

Me 34 raste pozitive, Komuna e Prishtinës i prin listës me më së shumti persona të infektuar gjatë 24 orëve të fundit, derisa pas saj radhitet Gjakova me 21 raste e Gjilani me 17, raporton KOHA. 

Në QKUK dhe Spitalet rajonale janë duke u trajtuar 516 pacientë prej tyre 332 me oksigjenoterapi dhe 18 me respiratorë.

Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar Komunën e Parteshit, ku është njoftuar nga kryetari i saj Dragan Petkoviq për situatën epidemiologjike si dhe nevojat që ka komuna për përballimin e gjendjes.

Në këtë takim, Zemaj ka theksuar mbështetjen e ministrisë për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.

Ndërsa, ish-ministri i Shëndetësisë dhe neuropsikiatri Ferid Agani, kanë thënë se koronavirusi do të lërë pasoja të mëdha në shëndetin mendor.

Ai ka bërë thirrje që të ruhet familja.

Numri total i rasteve pozitive është 12.337 nga 46.907 persona të dyshimtë në virusin COVID-19. Ndërsa mbi 3500 raste mbesin aktive.