1 perditesime
20:14

Xhaferi: Do të jem kryetar i të gjithëve

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, i cili sot u rizgjodh në këtë post me 62 vota për, thotë se “do të jetë Kryetar i të gjithë 120 deputetëve”.

“Më lejoni të falënderoj për detyrën jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të përgjegjshme që ma besoni, të jem Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryetar i dhomës ligjvënëse, dhomës së qytetarëve, me çka më jepni në dije se kontributi im i deritanishëm në ndërtimin e një institucioni funksional dhe një dhome realisht të hapur për Ju është valorizuar dhe respektuar, dhe kjo paraqet nder të veçantë dhe kënaqësi”, shkruan Xhaferi në Facebook pak orë pasi u rizgjodh kryetar.

Xhaferi, gjithashtu thekson se angazhimi i tij për shumë sfera do të vazhdojë edhe më tej.

“Dëshiroj t’ju siguroj se edhe angazhimi im i ardhshëm në krye të dhomës ligjvënëse do të jetë në drejtimin e njëjtë, mirëpo, i pasuruar për një përvojë më shumë, a gjithsesi, edhe në kushte tjera, më të volitshme për vendin tonë, i cili sot është anëtar i plotfuqishëm i Aleancës NATO, me kornizë të miratuar për negocim me Bashkimin Evropian për arritjen e anëtarësimit të plotfuqishëm në familjen evropiane”, përfundon ai.

 

Do të jem Kryetar i të gjithë 120 deputetëve/ Ќе бидам претседател на сите 120 пратеници Të nderuar deputetë, Të...

Posted by Talat Xhaferi on Friday, August 21, 2020

 

18:19

Xhaferi rizgjidhet kryeparlamentar në Maqedoninë e Veriut

Me 62 vota pro dhe 43 kundër Talat Xhaferi i Bashkimit Demokratik për Integrim u rizgjodh kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pro votuan deputetët e koalicionit Mundemi dhe BDI-së, derisa kundër ishin deputetët e VMRO-DPMNE-së, raporton Alsat.

Deputetët e koalicionit ASH-Alternativa braktisën sallën në momentin e votimit.

BDI-ja dhe LSDM-ja ditë më parë arritën marrëveshje për bashkëqeverisje. Kryeministër pritet të jetë Zoran Zaev, ndërsa BDI-ja do të marrë ministrin e Jashtëm. Në bazë të marrëveshjes, në 100 ditët e fundit të mandatit kryeministër do të jetë një i propozuar nga BDI-ja.