Arbëri

Familjarët e 1432 fëmijëve të vrarë kërkojnë që të vazhdohet me projektin e parë të Obeliskut

Familjet e Fëmijëve Martirë të Kosovës përmes një komunikate për media kanë kërkuar që të vazhdohet me projektin e Nusret Pllanës dhe ekipit të tij për Obeliskun për 1432 fëmijët e vrarë gjatë viteve 1981-99.

Xhavit Muqolli, Nexhmedin Gërxhaliu dhe Halit Berisha thonë se ka më shumë se tri vjet që kanë filluar punët për ngritjen e Memorialit - Obeliskut, në kujtim të fëmijëve shqiptarë të vrarë nga pushtuesi serb nga viti 1981 deri në vitin 1999, kur përfundon lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kur Obelisku, projekti i të cilit është punuar nga njerëz profesionalë, krejt papritur, si të dalë nga dheu, pas tri vjetësh, del ndonjë zë i vetmuar, që jo vetëm konteston punën e bërë, por edhe kërkon që projekte të tilla, të jenë edhe me konkurse ndërkombëtare, por edhe me punën e Asociacionit së arkitektëve të Kosovës, të cilëve më në fund, iu doli zëri”, thuhet në komunikatë.

Arkitekti Arianit Bytyçi ditë më parë u ishte drejtuar krerëve të shtetit me një letër publike ku ka kërkuar që të shpallet konkurs ndërkombëtar për Memorialit e 1432 fëmijëve të vrarë.

Një gjë të tillë e ka përkrahur edhe Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës.

“Ne e mbështesim këtë iniciativë nga kolegu ynë Arianit Bytyçi si e domosdoshme për të respektuar vlerat e projektit dhe viktimat e luftës me një projekt të përzgjedhur në mënyrë transparente dhe me vlera”, thuhet në postimin e këtij Asociacioni në Facebook.

Por, një gjë të tillë e kundërshtojnë familjarët, të cilët kërkojnë që Obelisku të përfundohet sa më parë dhe të mos zvarritet edhe më tutje.

Arianit Bytyçit dhe grupit të tij, iu bie ndërmend se u dashka një konkurs ndërkombëtar, pas shumë vjetësh të angazhimit të ekipit profesional për ngritjen e obeliskut në kujtim të fëmijëve shqiptarë të vrarë, dhe, sa duket, duan me çdo kusht të zvarritet, siç ka ndodhur përherë, por edhe të ndërrohen bartësit e projektit përmes, edhe të lojërave gjoja për një konkurs ndërkombëtar, se edhe ndërkombëtarizohet çështja e masakrave serbe në Kosovë, thuajse bota nuk i paska mësuar ende masakrat që janë bërë mbi popullatën shqiptare”, thuhet në reagimin e Familjeve të Fëmijëve Martirë të Kosovës. “Andaj, i bëjmë thirrje Arianitit edhe të tillëve si ai, që të mos thirren më në kauzën tonë, se gjoja është në të mirën e Kosovës, por t’i hapin rrugë projektit të Nusret Pllanës dhe ekipit tij, gjë që punën shumëvjeçare ta kurorëzojnë sa më shpejt. Me këtë rast, edhe dhembja e baballarëve dhe nënave, familjarëve dhe njerëzve të tjerë, do të jetë më e lehtësuar”.

Image