Arbëri

Sejdiu thotë se është anuluar vendimi për shkarkimin e tij si drejtor i SHSKUK-së

Ish-drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka publikuar vendimin e Inspektoratit të Punës për anulimin e vendimit për shkarkimin e tij nga kjo pozitë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se vendimi i Inspektoratit të Punës ka anuluar vendimin paraprak për shkarkim, duke shtuar se i ka potencuar të pabaza të gjitha pikat e listuara në vendimin e lartpërmendur të Bordit.

“Vendimi potencon se proceset e përshkruara në arsyetimin e vendimit të bordit të SHSKUK për shkarkim, nuk janë kompetencë e drejtorit të përgjithshëm. Po ashtu listimet e raporteve të auditimeve të brendshme nuk kanë relevancë në raport me detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK, duke potencuar raportin e auditorit të përgjithshëm ku përshkruhet se SHSKUK ka aplikuar një qasje të përmirësuar në shumë fusha të menaxhimit financiar dhe llogaridhënies si dhe zbatimit të rekomandimeve të dala nga raportet e mëhershme të auditimit”, ka thënë ai.

Sejdiu thotë se ky vendim konfirmon punën e tij të ndershme dhe profesionale në SHSKUK, të cilën e e kishte marrë në menaxhim në vitin 2017, siç thotë ai, në gjendje të rendë, gati të pashpresë.

 

Sot pranova Vendimin nga Inspektorati i Punës për anulimin e Vendimit të Bordit Drejtues të SHSKUK-së për shkarkimin tim...

Posted by Basri M. Sejdiu on Thursday, August 20, 2020

“Gjatë mandatit tim kam arritur të rrisë shërbimet në çdo klinikë të QKUK-së si dhe në spitale të përgjithshme duke pasur gjithmonë pacientin në qendër. Vlen të potencojë menaxhimin e suksesshëm të pacientëve me COVID 19. Të përkujtojë se kemi pas numrin më të vogël të fatalitetit nga kjo sëmundje në rajon, kemi mbrojtur stafin nga infeksioni dhe kemi krijuar hapësira të reja për menaxhim të kësaj sëmundje”, ka thënë ai.

Menjëherë pas shkarkimit të Sejdiut, në vendin e tij është emëruar si ushtrues detyre, Valbon Krasniqi.

Image