Kryeministri Avdullah Hoti pritet që sot t`i bëjë bashkë në një takim partnerët e koalicionit qeverisës.
Për takimin, i cili është paralajmëruar të mbahet të enjten pasdite, është bërë e ditur nga konfirmimi i pjesëmarrjes së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Por publike nuk janë bërë çështjet që do të diskutohen. Lidhur me këtë çështje, KOHA ka pyetur partitë në pushtet e të cilat nuk kanë dhënë ndonjë detaj shtesë. Përveç konfirmimit të pjesëmarrjes në takim, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka refuzuar të tregojë arsyet e tij.
Temat nuk i kanë bërë të ditura as nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e as nga Zyra e kryeministrit Avdullah Hoti.
Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se për detajet e takimit, qytetarët do të njoftohen me kohë. Ky takim është i pari që nga përplasjet e fundit mes partive në Qeveri, nisur nga çështja e dialogut e pozita e presidentit.