2 perditesime
23:45

Weller: Kompleksiteti i Manastirit të Deçanit, pasojë e sjelljes së Kosovës

Sipas antropologes Nora Weller, çështje e statusit të Manastirit të Deçanit në Kosovë është bërë shumë komplekse si pasojë e sjelljes së autoriteteve të Kosovës.

Në Interaktiv të KTV-së Weller ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk janë sjellë me profesionalizëm karshi Kishës Ortodokse Serbe.

“Çështja e Manastirit dhe statusi i tij në Kosovë është shumë kompleks dhe ky kompleksitet vjen prej kohës së Ahtisaarit, por ai shkon e vjen e bëhet edhe më i thellë duke marrë parasysh se autoritetet lokale në raport me Kishën s’janë sjellë asnjëherë me diplomaci të thellë dhe profesionalitet të nevojshëm dhe për më shumë autoritetet qendrore në Kosovë s’janë marrë me çështjet rreth Kishës me seriozitetin që e meritojnë, për një arsye dhe nuk e di pse, por Kisha ortodokse serbe vazhdimisht është lënë anash”, ka thënë ajo.

Sipas Wellerit, çështja e Kishës serbe do të jetë ndër kryesore në pjesën e ardhshme të dialogut Kosovë-Serbi.

“Sepse është e qartë që Kisha është duke luftuar për ta zgjedhur statusin e vet, edhe më tutje përveç faktit që Plani i Ahtisaarit e mbron në disa nivele, shteti e mbron Kishën me disa ligje, por s'ka dalë asnjëherë asnjë person publik apo zyrtar publik i Kosovës që të bëjë koment të tillë e t'i japë përshtypjen përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë që në fakt Kosova po kujdeset për kishën. Për më shumë me këtë rrugë tani është edhe një dëshmi që Kosova nuk është në gjendje t'i aplikojë ligjet e veta në mbrojtje të komuniteteve që ka premtuar dhe për atë arsye kisha ka hapësirë të bëjë edhe gjëra të tjera që s'janë as në kompetencën e tyre dhe ndoshta as në legjislacionin që u lejon të bëjnë gjë të tillë”, ka shtuar Weller.

23:36

Weller: Kosova duhet të dëshmojë se komuniteti serb dhe Manastiri janë të mbrojtur

Nora Weller, ligjëruese në Universitetin e Cambridget vlerëson se autoritetet qëndrore dhe sidomos lokale, në këtë rast të Deçanit, duhet të përmbahen nga komentet ndaj Manastirit.

Antropologia Weller, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Kosova duhet të dëshmojë se komuniteti serb dhe Manastiri në Deçan janë të mbrojtur.

Ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë ka përplasur autoritetet lokale dhe Manastirin, që pretendon se po rreizkohet nga ky projekt. Kjo ka bërë që të përfshihen edhe autoritetet qendrore në Kosovë, si dhe të reagojë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Autoritetet lokale, në këtë rast të Deçanit, duhet me të vërtetë të përmbahen nga komentet derogative që i kam lexuar së fundi mbi kishën, sepse ato vetëm dëshmojnë dobësinë e tyre që e kanë ndaj kishës. Pasi, kur të del një ambasador i huaj dhe thotë ndalojeni rrugën, ajo ndalohet. Kështu që duhet me fillu një dialog i mirëfilltë dhe Kosova, autoritetet lokale dhe qendrore, duhet të dëshmojnë se janë në gjendje ta mbrojnë kishën ortodokse serbe, sepse ashtu e kanë mbrojtur ndër shekuj e dekada më parë. Duhet të dëshmojnë se komuniteti serb, edhe në këtë rast është i mbrojtur dhe se vlerat e tyre kulturore janë gjithashtu të mbrojtura”, ka thënë Weller.

Ajo thotë se duhet të shmangen edhe komentet që kanë të bëjnë me historinë. Shumë prej komenteve të ditëve të fundit, sipas saj, nuk qëndrojnë.

“Duhet të shmangim çfarëdo lloj komenti që ka të bëjë me historinë, ose disa komente të fundit që thonë se kjo është pronë e Kosovës, nuk është e Serbisë. Komente të tilla nuk janë të nevojshme fare, nuk qëndrojnë në shumë aspekte dhe për më shumë krijojnë avantazh në rastin e kishës në çmimin e tyre përfundimtar që është të krijojnë njëfarë zone të ekstra-territorialitetit brenda Kosovës. Prandaj, është rruga më e mençur që me iu qas kësaj çështje në mënyrë profesionale, teknike dhe me përcaktu nëse me të vërtetë ekziston një problem që mund ta dëmtojë objektin e manastirit. Është më mirë sesa me hy në politika të thella historike, të cilat nuk do t'i bëjnë mirë Kosovës në të ardhmen”, ka shtuar Weller.

23:30

Weller: Kisha Serbe ka brengë legjitime për Manastirin e Deçanit

Nora Weller, antropologe që ligjëron në Universitetin e Cambridget, ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe me të drejtë ka shprehur brengën për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, në zonën afër Manastirit të Deçanit.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, Weller ka thënë se ky objekt gjendet në listën e UNESCO-s, si trashëgimi botërore që konsiderohet e rrezikuar. Sipas saj, brenga e shprehur nga Kisha Ortodokse Serbe duhet të merret me shumë seriozitet nga autoritetet e Kosovës. Pikërisht një brengë e tillë e shfaqur ditë më parë, ndikoi që të pezullohen shkurt punimet në rrugën afër zonës së mbrojtur.

“Ky zhvillim nuk duhet të jetë vetëm mes autoriteteve lokale dhe atyre të kishës, por për shkak të situatës në të cilën gjendet Kosova ndërkombëtarisht është në nivelin më të ngritur politik do të thosha unë. Sikur që është bërë e qartë edhe përmes intervenimit të ambasadorëve të ndryshëm në Kosovë, Kisha në këtë rast, ka brengë legjitime, dhe brenga e tyre duhet të merret parasysh sepse Manastiri i Deçanit është në listën e trashëgimisë botërore që konsiderohet e rrezikuar brenda për brenda UNESCO-s, dhe pikërisht disa prej faktorëve që e bëjnë këtë objekt në këtë listë me rrezik janë intervenimet e tilla si ndërtimi i rrugës që po ndodh tani. Mendoj se në këtë rast, Kisha ka brengë legjitime dhe duhet të merret me shumë seriozitet nga autoritetet e Kosovës”, ka thënë ajo.

Weller tutje ka thënë se autoritetet e Kosovës “s’duhet të presin reagimin e ndërkombëtarëve, por duhet të ndërpresin vetë ndërtimin e kësaj rruge”.

Sipas saj, kjo sepse “Kosova e ka pranuar Pakon e Ahtisarit, në të cilën aneksi 5 mbron interesin e Kishës Ortodokse Serbe dhe zonave të tjera që kanë objekte të rëndësishme për komunitetin serb, objektet kulturore dhe fetare dhe se pikërisht Plani i Ahtisaarit është pjesë e Kushtetutës së Kosovës”.

“Për këtë arsye, Kosova duhet ta mbrojë Kishën Ortodokse Serbe, sipas vendimeve që i ka pranuar më 2006 e tutje dhe s’duhet të presë që ndërkombëtarët të ndërhyjnë që një rrugë e tillë të ndalohet së ndërtuari, por t’i marrë vetë masat që të dëshmojë se është shtet që implementon legjislacionin që e ka pranuar vetë. Për më shumë, Kosova është shtet me kushtetutë, multietnik, dhe i mbron të drejtat e nacionaliteteve në Kosovë, në këtë rast të komunitetit serb, edhe me legjislacionin e lirive fetare, edhe me Pakon e Ahtisaarit edhe me legjislacionin që mbulon të drejtat e komuniteteve”, ka vazhduar ajo.