Sot, disa qytetarë të Republikës së Kosovës kanë pranuar gabimisht një mesazh se janë përfitues të masës 15 nga Pakoja Emergjente, ka konfirmuar Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, por edhe MPMS.
Bajrami ka thënë se ky gabim ka ndodhur pasi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përgjegjëse për masën 15 të Pakos Emergjente, ka dërguar listën jo të saktë në Ministrinë e Financave.
“Pasi janë dërguar mesazhet telefonike, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale na ka njoftuar se ka dërguar listën e gabuar. Menjëherë është përmirësuar ky gabim dhe secilit qytetar i është dërguar edhe mesazhi sqaruar dhe kërkim falja. Edhe tash kërkoj falje secilit qytetar dhe ju njoftoj se kam kërkuar përgjegjësi hierarkike dhe politike për këtë lëshim. Do të ketë llogaridhënie prej secilit person të përfshirë në këtë rast. Kam kërkuar edhe përgjegjësi politike dhe për këtë problem është njoftuar edhe Kryeministri Hoti”, ka shkruar Bajrami.
Për çfarëdo sqarimi tjetër, Bajrami shkruan se, mund të drejtoheni në Qendrën për Punë Sociale në komunën ku jetoni.
“Gabimet e tilla do t’i eliminojmë dhe do të vazhdojmë pagesën për të gjitha pikat e Pakos Emergjente. Në bazë të ligjeve në fuqi, të gjithë këta qytetarë kanë të drejtë ankesë brenda 30 ditëve nga data kur janë njoftuar për vendimin. Rrjedhimisht, qytetarët e pakënaqur mund të ushtrojnë ankesë lidhur me refuzimin e aplikacionit të tyre, pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”, shkruan Bajrami.
Kurse Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përmes një komunikate për media ka bërë të ditur për këtë gabim, derisa u ka kërkuar falje qytetarëve.
“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, njofton gjithë qytetarët se, gjatë përgatitjes dhe filtrimit të listave për njoftim me SMS rreth statusit të aplikimit tuaj për masën 15, ka ndodhur një gabim teknik, ku një numri të përfituesve, me datë 11.08.2020, iu është dërguar gabimisht një SMS i cili nuk dedikohej për ta. Të gjitha këto familje sot gjatë ditës kanë pranuar një SMS tjetër sqarues rreth këtij gabimi teknik”, thuhet në komunikatë.
MPMS shton se, “për çdo paqartësi apo ankesë eventuale, palët mund të paraqiten në Qendrën për Punë Sociale të komunës ku jetojnë. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si institucion bartës i procesit të zbatimit të Masës 15, kërkon ndjesë dhe mirëkuptim për këtë lëshim i cili mund të ketë shkaktuar pakënaqësi te pranuesit e SMS-it në fjalë”.