Arbëri

Mungesa e oksigjenit në spitale, ai i Gjilanit synon ta prodhojë vetë

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Situata emergjente për shkak të pandemisë së koronavirusit ka shtyrë institucionet e Kosovës t’u kthehen aparaturave për të prodhuar vetë oksigjen.

Në një njoftim të faqes online të Prokurimit Publik mësohet se përmes një procedure të negociuar pa publikim për njoftim të kontratës një kompani ka fituar të drejtën për servisim të sistemit të prodhimit të oksigjenit, me kërkesë të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit. Në emërtim të njoftimit për nënshkrim kontrate thuhet se kjo është “kërkesë emergjente për shkak të pandemisë COVID-19 dhe mungesës me furnizim me oksigjen”.

Vlera e parashikuar për këtë tender, që u njoftua më 5 gusht, ka qenë 10500 euro.

KOHA mëson se kërkesa për këtë tender ishte kryer direkt nga ushtruesi i detyrës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, me arsyetimin se është kërkuar nga Spitali i Gjilanit për pajisje që të prodhojnë vetë oksigjen.

Mungesa me oksigjen është raportuar nga disa spitale rajonale në Kosovë. Sot u njoftua nga SHSKUK-ja se në klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme trajtim shëndetësor po marrin 628 pacientë të dyshuar dhe 440 prej tyre të konfirmuar me Covid. 419 janë me oksigjenoterapi.

Deri tash në Kosovë janë regjistruar 10590 të prekur me COVID-19. 354 persona kanë humbur betejën me koronavirusin, ndërsa aktualisht janë rreth 4000 raste aktive.