Arbëri

Hetuesia po shqyrton dy rrugë për përplasjen në Kuvend, një dëshmitare mbeti e paintervistuar

Deklarata e një gruaje që shihet në videon e përplasjes mes deputetëve, Arben Gashi e Kujtim Shala nga LDK-ja, me deputetin e Vetëvendosjes, Gazmend Gjyshinca, është e vetmja që po i mungon prokurorisë nga radhët e dëshmitarëve.

Identiteti i kësaj gruaje ende për hetuesinë është i panjohur e siç ka mësuar KOHA as personat e përfshirë nuk e kanë identifikuar kur janë intervistuar.

Siç kanë thënë burimet, të afërta me hetimet ky rast fillimisht ishte iniciuar si sulm, megjithatë një gjë e tillë mund të ndryshojë.

Nëse hetuesia rikualifikon veprën penale nga “sulm”, kjo nënkupton që çfarëdo dënimi në këtë rast nuk do t’i inkriminonte penalisht.

Ndërkaq, nëse ky rast konsiderohet kundërvajtje atëherë të përfshirët do të sanksionohen me gjoba. Kjo për shkak se kundërvajtje është sjellja me të cilën shkelet ose rrezikohet rendi dhe qetësia publike.

KOHA ka provuar t’i kontaktojë deputetët e përfshirë, por ata nuk kanë dashur të deklarohen.

Dy deputetët e Vetëvendosjes, Gazmend Gjyshinca e Fitore Pacolli, patën thënë se pas mbledhjes se Komisionit për Punë të Jashtme me datën 28 korrik ishin sulmuar nga deputetët e LDK-së, Shala e Gashi, por që një gjë të tillë LDK-ja e kishte mohuar.