Arbëri

VV-ja fton në interpelancë ministrin e Arsimit për vitin e ri shkollor në kushte pandemie

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka iniciuar interpelancë për ministrin e Arsimit në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor.

Në një njoftim në Facebook, Vetëvendosje ka thënë se ka kërkuar interpelancë të ministrit Ramë Likaj në lidhje me gjendjen në sistemin e arsimit, planet dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Sipas VV-së, edhe pse janë vetëm edhe tri javë para fillimit të vitit të ri shkollor, “kjo ministri nuk ka ndërmarrë thuajse asgjë për fillimin e vitit shkollor”.

“Jemi tashmë shumë vonë me planifikim për fillimin e vitit shkollor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka paraqitur ndonjë plan dhe strategji për të garantuar realizimin e procesit mësimor, përfshirjen e të gjithë nxënësve në proces, si dhe mënyrën e zhvillimit të procesit mësimor në situatën në të cilën ndodhet vendi me COVID-19. Gjatë gjithë pushimit veror, Qeveria nuk është parë të ketë bërë përgatitje për një proces arsimor në rrethana emergjente. Sfidat e ndryshme të organizimit të procesit online të arsimimit do të duhej të trajtoheshin për t’u shmangur me fillimin e vitit të ri shkollor. Nga adaptimi psiko-social i nxënësve me mënyrën online të vijimit të mësimit, trajnimi i mësimdhënësve për mësimdhënie nga distanca, mënyra e dorëzimit të detyrave, leximit dhe angazhimit të nxënësve, zbatimi i mundësisë së shkollimit nga shtëpia, por edhe monitorimi dhe vlerësimi i këtij procesi”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Pak para njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje, edhe partia tjetër opozitare, Partia Demokratike e Kosovës kritikoi Qeverinë Hoti për situatën në arsim.