Kuvendi i Kosovës dje ka miratuar me 77 vota pro në lexim të parë, Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19.
Sipas rregullores së Kuvendit, shqyrtimi dhe votimi në lexim të parë i një projektligji nënkupton votimin në parim. Ai më pas i shkon për shqyrtim Komisionit, ndërsa në afat prej dy javësh pune nga miratimi në parim parashihet edhe propozimi i amendamenteve, e më pas shqyrtimi në lexim të dytë, raporton KOHA.
Por shqyrtimi i këtij projektligji do të bëhet në mënyrë më të të përshpejtuar. Këtë e ka bërë të ditur për televizionin, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e VV-së, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se në seancën e ardhshme do të shqyrtohet në seancë projektligji në leximin e dytë.
Pavarësisht se u miratua nga të gjitha partitë politike kryesore në vend, për përmbajtjen e këtij ligji kishte jo pak vërejtje.
Gjatë seancës, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, nga AAK-ja propozoi që në ligj ligjit të parashihet edhe përkrahja e personelit shëndetësor. Kurse më i zëshëm në kundërshtim të këtij projektligji ishte deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu.
Haxhiu i cili edhe është anëtar i Komisionit për Shëndetësi, thotë se projektligji aktual nuk përmbush nevojat në luftën ndaj pandemisë dhe se e ka të rregulluar vetëm çështjen e lirisë së lëvizjes.
Me projektligjin aktual nuk po pajtohen as nga partia e propozueses së projektligjit, Vjosa Osmani.
Deputeti Ekrem Hyseni thotë se me këtë projektligj duhet të rregullohet edhe çështja e resurseve humane në luftën ndaj koronavirusit, çështja e pasojave ndaj shkelësve të masave e blerjet emergjente.
Sipas Hysenit, propozimi për shkelësit e masave do të ndahet në dy grupe. Për njërin grup është propozuar të aplikohen gjoba, kurse për grupin tjetër, shkelja do të kualifikohet si vepër penale.
Projektligji për parandalimin e pandemisë u iniciua në prill pasi që Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm vendimin për kufizimin e lëvizjes të ndërmarrë asokohe nga Qeveria Kurti.
Kushtetuesja kishte konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet ‘vetëm me ligj’ të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.