Arbëri

Punëtorët e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore janë paguar jashtëligjshëm si nëpunës civilë, ndonëse nuk janë të tillë

Ndonëse nuk janë nëpunës civilë, 44 punonjës të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore marrin shtesën prej 30 eurosh në muaj. Kjo shtesë është e përcaktuar të jepet për nëpunësit civilë me një vendim të Qeverisë të vitit 2010.

Por bazuar në Ligjin për Sigurime Shëndetësore, punëtorët e Fondit nuk i takojnë shërbimit civil të Kosovës. Këto shtesa, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit për këtë institucion, për vitin që shkoi, ata i kanë marrë që prej muajit mars e deri në dhjetor. Vlera e mjeteve të dhëna jashtëligjshëm për këta punonjës vitin e kaluar është 13 mijë e 200 euro.

Ato mjete janë duke u paguar edhe këtë vit. Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Financave. Në bazë të llogaritjeve gjatë këtij viti, këta punëtorë në mënyrë të kundërligjshme kanë marrë edhe 9 mijë e 200 e 40 euro. Zyrtarë të Fondit këtë pagesë, sipas Auditorit, e kanë arsyetuar duke thënë se shtesat realizohen nga Ministria e Administratës Publike, e cila tash funksionon bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nga ky institucion kanë thënë se veprimet për të sqaruar gjetjen e Auditorit i kanë marrë pasi që e kanë pranuar raportin, më 30 korrik të këtij viti dhe kanë thënë se procesimi dhe kalkulimi i pagave bëhen në Ministrinë e Financave.

Ata kanë theksuar se pas pranimit të raportit kanë kërkuar nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave që të shqyrtojnë gjetjen e Auditorit, siç kanë thënë që të mund t’i japin një përgjigje Auditorit lidhur me të. KOHA ka kërkuar përgjigje lidhur me këtë çështje edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në atë të Financave. Nga e para kanë thënë se nuk janë përgjegjëse për këtë, ndërsa në Ministrinë e Financave kanë thënë se secila organizatë e ka për detyrë të kujdeset që përfitimet e punonjësve të saj të jenë të ligjshme.