Arbëri

Dy të burgosur e 26 zyrtarë korrektues të infektuar me COVID-19

Foto: Koha

Deri tash janë konfirmuar dy raste me COVID-19 në burgjet e Kosovës.

Ndërkaq, janë edhe 26 zyrtarë korrektues të cilët janë infektuar me këtë sëmundje, ku prej tyre 12 ende që po qëndrojnë në vetizolim.

Si shkak i rritjes së numrit të rasteve me këtë pandemi, Shërbimi Korrektues i Kosovës nga 11 korriku ka ndaluar sërish vizitat për të gjithë të burgosurit.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, tha për KosovaPress se gjatë kësaj kohe të burgosurve do t`iu mundësojë telefonata me të shpeshta me familjarë dhe komunikim virtual përmes Skype, i cili tashmë është i instaluar nëpër disa qendra korrektuese dhe të paraburgimit.

“Fatkeqësisht edhe pse ne një kohë kishim lejuar vizitat familjare, një numër shumë të vogël edhe atë të familjarëve të ngushtë, ne u detyruam që këto vizita prapë t’i ndërpresim. Ne vet prodhojmë maska kështu që e kemi të mjaftueshme maska për nevojat tona, përveç se kemi marrë disa donacione ne kemi prodhuar edhe për institucionet tjera. Një kontingjent të vogël simbolik e kemi dhënë për Policinë e Kosovës, dhe për Inspektoratin Policor”, është shprehur Thaçi.

Ndër të tjera, udhëheqësi i Shërbimit Korrektues njofton se zyrtarët korrektues janë të pajisur me mantele mbrojtëse, meqë sipas tij rezidentët janë të sigurt brenda, por jo edhe gjatë kontaktit me gardianët.

“Deri tash kemi vetëm dy raste të të burgosurve të infektuar. Njëri ka qenë brenda në burg, në dhomë i vetëm, dhe mandej nuk është përhapur kjo dhe është shëruar që një kohë të gjatë. Dhe është rasti i dytë që ka qenë në spital i burgosur, por është identifikuar gjatë qëndrimit në spital. Ne nuk kemi indikacione që ai person e ka marrë nga dikush, apo është infektuar në spitalin e Pejës. Prandaj kemi vetëm dy raste. Rasti i tretë ka qenë i paraburgosur por fatbardhësisht ai është identifikuar para se të arrijë në burg, në spital të Gjilanit. Kështu që ne zyrtarisht i kemi vetëm dy raste, dhe i treti ka qenë me urdhër të gjykatës mirëpo nuk ka arritur në hapësirat tona”, shton Thaçi.

Aktualisht janë 12 zyrtarë korrektues të cilët po qëndrojnë në vetizolim, të njëjtit janë konfirmuar me COVID-19.

“Nga stafi ne kemi pasur deri tash 26 zyrtarë korrektues të infektuar, 12 nga ta ende qëndrojnë në vetizolim. Nuk ka nga ta sepse kemi komunikuar, nuk ka që kanë situatë të rënduar shëndetësore, por të gjithë janë në vetizolim”, tha Thaçi.