Arbëri

MSH-ja shfuqizon udhëzimin për rregullimin e çmimeve të barnave, farmacistët e quajnë vendim kriminal

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që të shfuqizojë udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

Në një dokument të siguruar nga KOHA, ky vendim arsyetohet se “bazuar në raportin e datës 9 qershor të vitit 2020 të Komisionit të ankesave për shqyrtimin e ankesave të qarkulluesve me shumicë dhe pakicë të produkteve medicinale në Republikën e Kosovës, mes tjerash ky Komision ka konstatuar që dispozitat e këtij akti nënligjor kanë përcaktuar mënyra të ndryshme për metodologjinë e përcaktimit të çmimeve të produkteve dhe në mungesë të listave zyrtare të cilat janë përdorur nga Komisioni për përcaktimin e çmimeve”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Odës së Farmacistëve të Kosovës.

Kjo odë e ka quajtur të turpshëm dhe kriminal vendimin. Farmacistët kanë kërkuar largimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Shfuqizimi i udhëzimit për rregullimin e çmimeve të barnave sa e turpshme aq kriminale. Ministër Zemaj po e turpëron veten dhe familjen tënde e popullin po e varfëron. Ik sa më parë! OFK do të thërrasë Këshillin Drejtues dhe do të këshillohet edhe me Kuvendin e OFK-së për veprimet që do të ndërmerren!”, thuhet në reagimin e kësaj ode.

Ndër të tjerash, ky udhëzim administrativ kishte për qëllim të përcaktonte dhe rregullonte çmimet e produkteve medicinale për shitje me shumicë dhe pakicë në sektorin privat nga subjektet e licencuara, produkteve medicinale nga Lista e Barnave Esenciale dhe produkteve medicinale nga Lista e Barnave të Rimbursueshme nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Udhëzimi përcaktonte çmimin fiks për shitje me shumicë dhe pakicë përmes subjekteve të licencuara, ndërsa përcaktonte edhe tavanin e çmimeve në raport me Listën e Barnave Esenciale.

Ndërkohë, përmes një shpjegimi të mëvonshëm, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se në mungesë të listave zyrtare nga shtetet referente, Komisioni për përcaktimin e çmimeve i kishte përcaktuar çmimet duke u bazuar në lista jozyrtare, “pra në kundërshtim me dispozitat ligjore të këtij Udhëzimi administrativ”.

MSH-ja ka thënë po ashtu se ky udhëzim administrativ ka imponuar tërheqjen e disa produkteve cilësore nga shtetet evropiane dhe botërore.

“Sa i përket përcaktimit të çmimeve nga vendi i origjinës, dispozitat e Udhëzimit Administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale kanë përcaktuar mënyra të ndryshme për metodologjinë e përcaktimit të çmimeve të produkteve. Sipas çështjeve të sipërshënuara të cekura në raportin e Komisionit të ankesave si shkallë e dytë përfundimtare në procedurë të përgjithshme administrative ky UA është i pa zbatueshëm. Poashtu, Departamenti ligjor i Ministrisë së shëndetësisë bazuar në raportin e Komisionit të ankesave ka propozuar që për këtë politikë të shqyrtohet mundësia e Koncept dokumentit për rregullimin e çmimit të barnave”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka thënë se ka adresuar kërkesën për inicimin e procedurës për vërtetimin e ekzistencës së konfliktit të interesit dhe pasojat e tij në Agjencinë kundër Korrupsion “duke pasur dyshim të arsyeshëm për konflikt interesi për dy anëtar të këtij komisioni, njëri që ka përfaqësuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe anëtari tjetër që ka përfaqësuar Odën e Farmacistëve të Kosovës në përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, duke qenë se anëtari i OFK është pronar i qarkulluesit me pakicë dhe bashkëpronar i një qarkulluesi farmaceutik me shumicë”.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se ka iniciuar kërkesë te Auditori i Përgjithshëm për rishikimin e rregullsisë së këtij procesi.

“Ministria e Shëndetësisë me Vendim me nr. protokolli 05-4834 të dt. 04/08/2020 ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ, nr.02/2019 për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale, i cili i hap rrugë që politika e përcaktimit të çmimeve të barnave të vihet në binar ligjor, të rregulloj sektorin farmaceutik në interes të popullatës dhe jo në shërbim të grupeve të interesit. Ky Vendim e autorizon Sekretarin e Përgjithshëm të MSh që të ndërmarrë veprimet në drejtim të hartimit të Koncept dokumentit për rregullimin e çmimit të barnave me qëllim të shmangies së pabarazisë, monopolit dhe jo kualitet - cilësi në tregun farmaceutik, i cili ka ndikim të konsiderueshëm social dhe ekonomik”, thuhet në njoftim.

Në fund, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se do t’i përkrahë farmacistët dhe rregullimin e tregut farmaceutik të Kosovës vetëm në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.

“Sipas nenit 8 të LIGJIT Nr. 04/L-125 PËR SHËNDETËSI, Ministria e Shëndetësisë është organ kompetent për hartimin e politikave dhe zbaton ligjet e një sistemi jo-diskriminues dhe të përgjegjshëm për kujdesin shëndetësor; vendos normativa dhe standarde dhe nxjerr udhëzime për sektorin e shëndetësisë”, përfundon komunikata e MSH-së.

Image

Image