14:08

Lirohet veterani i UÇK-së, i ndaluar në Shqipëri

Veterani i UÇK-së, Murtez Kastrati, i ndaluar në Shqipëri shkaku i një fletarresti në Interpol dërguar nga Serbia, është liruar.

Ministria e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka bërë të ditur se pas njoftimit të kreut të OVL UÇK-së, për ndalimin e Kastratit, ajo e kishte kontaktuar menjëherë homologun Gent Cakaj.

Cakaj, si ka treguar Haradinaj-Stublla, ka vepruar shpejt dhe ka sqaruar që Kastrati ishte ndaluar për verifikim dhe ishte liruar rreth dy orë më parë.

“Kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it duhet të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës. Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ajo.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka quajtur akt antikombëtar arrestimin e veteranit të UÇK-së, Kastrati. 

10:54

Gucati: Serbia dërgoi listë të re në Interpol, një veteran i UÇK-së u ndalua në Shqipëri

Një veteran i UÇK-së është ndaluar sot nga Policia në Shqipëri, pas dërgimit në Interpol të një liste ku përfshihet edhe emri i tij, ka bërë të ditur të dielen, kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati.

Gucati, përmes një shkrimi në Facebook, u ka kërkuar veteranëve të UÇK-së që të mos dalin nëpër shtetet tjera, pasi, sipas burimeve të organizatës së tij, Serbia ka dërguar në Interpol një listë me emra të ish-pjestarëve të UÇK-së.

Guacti ka kërkuar nga Shqipëria ta lirojë sa më parë atë.

“… deri sa do të vazhdojnë kështu duke u maltretuar në këtë formë njerëzit që dhanë çdo gjë që ne sot ta kemi shtetin, veteranët ende nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë, Qeveria e Kosovës sa me parë duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe të mos kemi më raste të tilla”, ka shkruar ai.