Arbëri

Kusari: Kelkos kërkon nga aktivisti Gacaferi 10 mijë euro dhe të demantojë vetën

Aktivistja Flutura Kusari ka thënë se Kompania Kelkos i ka kërkuar aktivistit Adriatik Gacaferi 10.000 euro dëmshpërblim për një postim të tij në Facebook lidhur me hidrocentralin “Lumbardhi 2”.

Përveç dëmshpërblimit, ajo thotë se nga Gacaferi është kërkuar që ta fshijë statusin dhe ta demantojë vetën.

Kusari tutje në Interaktiv të KTV-së ka thënë se i njëjti është aktivist që jeton në Deçan dhe ka parë që kompania në fjalë po shfrytëzonte më shumë ujë sesa që ishte e paraparë.

“Bëhet fjalë për një padi për shpifje që është bërë ndaj aktivistit Adriatik Gacaferi i cili është aktivist që jeton në Deçan. Ai përveç që punon si udhërrëfyes dhe ciceron është i interesuar në mbrojtjen e ambientit. Këto vitet e fundit i ka përcjellë zhvillimet që po ndodhin në Deçan dhe në fokus të veçantë hidrocentralet. Adriatiku ka pa që kompania Kelkos e cila merret me ndërtimin dhe menaxhimin e hidrocentraleve në Deçan është duke shfrytëzuar më shumë ujë sesa që është paraparë dhe ky ka filluar ta dokumentojë këtë. Sa herë që ka dalë në terren, ka bërë fotografi dhe ka postuar në Facebook”, ka thënë ajo.

Sipas saj, statusi dhe fotografia e tij janë arsyeja pse kompania ka bërë padi për shpifje të cilët pretendojnë që iu është dëmtuar reputacioni nga statusi i Gacaferit.