Arbëri

Hoti vlerëson se e ka kthyer mbështetjen që i mungonte Kosovës

Kryeministri Avdullah Hoti thotë se për një muaj punë ia ka kthyer Kosovës mbështetjen që i mungonte nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

Ai përmes një statusi në Facebook, ka thënë se kjo është arritur me vendosmëri dhe guxim.

“Askush nuk duhet të trazohet nga normaliteti që po ndërtojmë, sepse është edhe në të mirën e tyre. Për një muaj, ne e rikthyem Kosovën aty ku e ka vendin, përkrah miqve tanë ndërkombëtarë. Nga një raport i lënduar me BE dhe SHBA, tani kemi mbështetje nga të gjithë për cakun e dialogut, që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Për një muaj, ne hoqëm nga çdo diskutim temën e integritetit territorial të Kosovës, të cilën më nuk e përmend kush. Me vendosmëri e guxim, ne e evituam rrugën qorre dhe qasjen izoluese dhe morëm përgjegjësitë shtetërore në dialog”, ka shkruar Hoti.

Ai së fundi është kritikuar për qasjen e tij për dialogun me Serbinë, që të enjten rinisi në Bruksel. Nga Presidenca thanë se dialogu i udhëhequr nga BE-ja s’është në interesin e Kosovës, kurse nga Partia Demokratike e Kosovës e vlerësoi të nxituar takimin Hoti – Vuçiq.

Por Hoti beson se është në rrugën e duhur.

“Kjo është qasja jonë në dialog, që është legjitime dhe e vetme. Koha e politikës izoluese dhe e frikës për t'u përballur është tashmë pas nesh. Parimet e qarta dhe sinqeriteti ynë përballë partnerëve ndërkombëtarë po na mundësojnë ecjen tonë krah tyre dhe po na sigurojnë garancinë për proces dialogues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë i pari i ekzekutivit kosovar.