Arbëri

Rusia kërkon që zgjidhja për Kosovën të jetë në përputhje me interesin e Serbisë

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova ka thënë se Moska zyrtare i përkrah përpjekjet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për zgjidhje të çështjes së Kosovës.

Sipas “b92.net”, Zakharova ka përsëritur se Rusia angazhohet për një zgjidhje në përputhje me interesat e Serbisë, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe me të drejtën ndërkombëtare.

Në një konferencë të rregullt për shtyp, Zaharova ka përkujtur se BE-ja, si ndërmjetëse në dialog, duhet të kryej punën me ndërgjegje dhe të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, në rend të parë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Për fat të keq mund të konstatojmë që autoritetet prishtinase ka shtatë vjet që sabotojnë obligimet e tyre kur bëhet fjalë për krijimin e Asociacionit. Pikërisht prej këtij këndi shohim rifillimin e dialogut mes dy palëve, së pari në formatin e video-konferencës më 12 korrik dhe më pas me takimin në Brukesl, që po mbahet”, ka thënë Zakharova.

Ajo ka bërë të qartë se Rusia nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me çështjen e Kosovës.

“Angazhohemi që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë marrëveshje që do të jetë e qëndrueshme dhe e pranuar nga të dy palët, në përputhje me Rezolutën 1244. Ajo zgjedhje para së gjithash duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ajo duhet të marrë pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të marrë parasysh, para së gjithash, interesin e popullit të Serbisë”, ka theksuar Zakharova.