14:20

S’ka kuorum për projektrezolutat e VV-së e PDK-së, Osmani bën thirrje të shkrihen në një

Projektrezolutat për pandeminë të paraqitura nga dy grupet parlamentare, VV-ja dhe PDK-ja nuk janë proceduar për votim, pasi nuk kishte kuorum.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se në sallë janë vetëm 40 deputetë, andaj ajo ftojë dy partitë që paraqitën projekt rezolutat që ato t’i harmonizojnë dhe ta dërgojnë për votim një të vetme.

“Kështu do të kishte mundësi ta kemi së paku një rezolutë”, tha Osmani.

Të dy partitë më herët prezantuan projektrezolutat e tyre.

“1. Të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar projektligji për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 në territorin e Kosovës. 2. Për pacientët, të infektuarit me simptome të lehta, të dyshuarit me infeksion dhe familjarët e tyre gjatë periudhës së izolimit, institucionet shtetërore të marrin përsipër mbrojtjen dhe kompensimin e nevojave të tyre elementare shëndetësore e sociale 3. Të merren masat urgjente për trajnimin, edukimin, mbrojtjen dhe mbështetjen e personelit shëndetësor, përfshirë rekrutimin e stafit shtesë në të gjitha nivelet në raport me rekomandimet e IKSHPK-së, OBSH-së dhe ACDC-së dhe; 4. Të gjitha institucionet të marrin të gjitha masat për informim korrekt dhe në kohë reale mbi të vërtetën e gjendjes aktuale epidemiologjike, për seriozitetin dhe pasojat e pandemisë”, thuhet në projektrezolutën e paraqitur nga deputetja e VV-së, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku.

Më herët, në emër të PDK-së, projektrezolutën e prezantoi edhe deputeti Bekim Haxhiu.

Me këtë janë mbyllur punimet e seancës për raportimin e kryeministrit Hoti dhe debat parlamentar, që kishte nisur dje.

13:27

Kusari-Lila Krasniqit: Firmosni mocionin e mosbesimit e lërini pazaret politike

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka replikuar me deputetin e PDK-së, Memli Krasniqi.

Kusari-Lila gjatë replikës që i bëri Krasniqit, tha që të lënë pazaret politike e të nënshkruajnë mocionin për mosbesim të Qeverisë Hoti, pasi ka thënë se Qeveria Hoti ka dështuar karshi qytetarëve me kalimin e ligjimit anti-COVID.

Kusari-Lila gjatë fjalimit të saj ka folur edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, duke iu kundërpërgjigjur kritikave që po i bëhen atij. Ajo ka kritikuar ministrinë e Shëndetësisë, Armend Zemaj, për menaxhimin e pandemisë, e po ashtu janë kritikuar se është shkarkuar sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi. Kusari-Lila ka kritikuar rolin që po luan PDK-ja. E Memli Krasniqi ka thënë se po ashtu PDK-ja ka qenë kritike si për shkarkim të Bardiqit e po ashtu edhe të Basri Sejdiut nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor. 

Po ashtu Kusari-Lila ka thënë se pasi po i referohet LDK-ja tubimit të Vetëvendosjes së 12 qershorit, të jap përgjegjësi Ministri i Brendshëm, Agim Veliu, që dha leje për tubim. 

13:26

Haxhiu: Virusi me këtë qasje do të na mposhtë të gjithëve

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, njëherësh anëtar i Komisionit për Shëndetësi, ka thënë se virusi me këtë qasje “do të na mposhtë të gjithëve”.

Ai ka paraqitur grafikonet për numrin e të infektuarve, të vdekurve nga COVID-19 e po ashtu ka dhënë shifra edhe për renditjen e Kosovës kur bëhet fjalë për COVID-19.

Haxhiu ka kritikuar anëtarët e Qeverisë pasi nuk ishin prezentë në seancë. Ai ka thënë se janë dërguar shkeljet gjatë menaxhimit të pandemisë në prokurori.

“Debati është ftuar me diskutu me Qeverinë për menaxhimin e pandemisë, e Qeveria nuk është. Në mungesë të Qeverisë debati është shndërruar mes nesh kush kujt po ja mun. Por, fakt është se virusi me këtë qasje do të na mposhtë të gjithëve. Për fat të keq, qytetarët kanë me pësu. Nëse këto shifra neve nuk na bashkojnë, nëse debati për UÇK nuk na bashkon, nëse dialogu me Serbinë nuk na bashkon, e nëse edhe pandemia, shëndeti e jeta e qytetarëve nuk na bashkon, atëherë në cilën pikë mundet me u bashku ky Kuvend. Nuk është momenti e koha të bëhet politikë. Është nevojë të kemi unitet për të kaluar këtë situatë. Si PDK me ekspertët tonë të shëndetësisë jemi munduar të tërheqim vërejtjen se situata mund të eskalojë dhe se duhen më tepër teste. Kemi filluar me dy nisma ligjore për të mbështetur ekonominë e që nuk i përkrahën nga partitë në pozitë. Por, si duket lakmia për pushtet i verboi nuk i lejoi të mendonin për shëndetin e qytetarëve. Pasi mendjen e kishin te zgjedhjet dhe përplasjet politike. Shifrat sot janë alarmante. Sot janë 158 vende të botës që kanë sëmundshmërinë më të ulët se Kosova e 160 vende që e kanë vdekshmërinë me COVID më të ulët. Në këtë situatë arritëm për faktin se Kosova hyri në fazën e hapjes, pa rritur kapacitetet e reja, shënim të vatrave e infeksionit dhe pa planifikim të mirë. Kjo situatë duke vazhduar me lirim të masave pa ligj anti-COVID, pa masa rigoroze, Qeveria Hoti nuk arriti për më tepër se një muaj të marrë situatën nën kontroll. Ditët e fundit kemi parë disa masa më rigoroze, por pa ligj anti-COVID është vështirë e arritshme”, ka thënë Haxhiu.

Më pas ai ka përsëritur rekomandimet e PDK-së që edhe janë protokolluar e do të dalin për votim në fund të këtij debati.

- Autorizohet Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale që në afatin më të shpejt kohor të sjellë për miratim në Kuvend ligjin anti-COVID.

- Kërkojmë urgjentisht që Qeveria e Kosovës me vendim të veçantë të rrisë pagat e profesionistëve shëndetësorë siç është planifikuar me Projektligjin e Pagave dhe rritjen sipas kërkesave të infermierëve. Vendim duhet të përfshirë gjithë zyrtarët shtetëror që po përballen çdo ditë me menaxhimin e pandemisë.

- Ministria e Shëndetësisë të mundësojë punësimin edhe të 1500 profesionistëve shëndetësorë me qëllim të përballjes me pandeminë.

- Sa më shpejt të bëhet decentralizimi i testimeve dhe trajtimit për COVID, duke mbështetë komunat me plan konkret e sipas nevojës të organizohen edhe spitalet private.

- Të licencohen laboratorët nga sektori privat për të bërë teste për COVID-10 e të ketë monitorim strikt për të raportuar.

- Autorizohet IKSHPK që të koordinojë veprimet me organet përgjegjëse në nivel qendror e lokal të sigurohen që të mos shkelen masat e izolimit.

12:14

Osmani për ligjin kundër pandemisë: Mos u nisni nga adresa e propozuesit, bëjeni për qytetarët

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë projektligjin e iniciuar nga jo për luftimin e pandemisë COVID-19.

Ajo ka bindjen se ky projektligj nuk po procedohet tutje vetëm se është propozuar nga ajo.

“Harrojeni adresën nga ku është iniciuar. Në fund ju jeni meritorë, pasi ju do ta ngrehni dorën për votim. Unë e kam iniciuar pasi nuk deshi askush ta bëjë këtë”, tha Osmani.

Ajo iu referua edhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, që bëri thirrje për hartimin e një ligji për luftimin e koronavirusit, bazuar në nenin 55 të Kushtetutës.

“Është për të mirë e qytetarëve”, tha ajo.

Më herët, Qeveria Hoti kishte thënë se një ligj i tillë është i panevojshëm, meqë ka infrastrukturë të mjaftueshme për të menaxhuar situatën.

12:02

Zemaj: Kam nënshkruar udhëzimet administrative për licencimin e laboratorëve privatë për COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se janë nënshkruar sot dy udhëzime administrative, për Bordin e ri për licencimin e laboratorëve private për COVID-19. Ai ka shtuar se sot do të fillojnë institucionet publike të rrisin numrin e testimeve, e komuna e Prishtinës është gati.

“Sot kam nënshkruar dy udhëzime administrative. Bordin e ri për licencim për pjesën për COVID të laboratorëve privatë. Sot do të fillojnë institucionet publike të rrisin numrin e testimeve. Nevoja për debat është e domosdoshme, por nëse mendoni se duke hedhur të pavërteta ndihmoni situatën, e keni gabim”, ka thënë Zemaj.

Ai ka insistuar që të mos debatohet pa fakte. Ndërsa ka treguar se janë dërguar dy lista nga Kuvendi i Kosovës për testime dhe janë testuar ata dhe pikat e kontaktit.

Para fjalimit të Zemajt pati një debat mes Fitore Pacollit të LVV-së dhe Besa Gaxherrit të LDK-së sa i përket favorizimit për testime. Pacolli ka akuzuar se po testohen anëtarët e LDK-së e të tjerët jo, edhe nëse janë në një institucion.

Fatmire Kollçaku e LVV-së ka thënë se është shkelje e madhe nëse dikush ka hyrë në procedurë të testohet sot dhe është paraqitur në Kuvend, pasi është shkelje e rëndë. Ajo po ashtu ka kritikuar deputetët që po i heqin maskat gjatë fjalimit.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka shpjeguar se IKSHPK-ja ka dërguar kriteret për testime dhe ato janë dërguar te grupet parlamentare. Rreth 2/3 e testuarve janë nga administrata e Kuvendit e 1/3 nga grupet parlamentare.

10:47

Seanca rifillon me akuzat se kush çka ka punuar

Eman Rrahmani i VV-së ka akuzuar Qeverinë Hoti dhe partitë tjera të koalicionit se gjatë kohës së Qeverisë Kurti nuk lanë gjë pa thënë e pa bërë, derisa tash sipas tij, gjendja është edhe më e mjerueshme në shëndetësi.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu i reagoi, duke i thënë të mos manipulojë me shifra dhe të mos luajë me ndjenja të njerëzve. Ajo lavdëroi ish-ministrin Uran Ismajli i cili në Qeverinë Haradinaj, sipas saj ka bërë punë të madhe në shëndetësi.

10:42

Rifillon punimet seanca e ndërprerë dje për pandeminë

Seanca e ndërprerë dje e që ishte thirrur për raportimin e kryeministrit Avdullah Hoti rreth menaxhimit të pandemisë COVID-19, ka rifilluar punimet.

Seanca ishte thirrur për orën 10:00, por ka rifilluar në orën 10:40.

Për vazhdim të seancës janë të lajmëruar rreth 20 deputetë për folur për këtë çështje. I pari ka marrë fjalën Eman Rrahmani i Vetëvendosjes.

08:34

Vazhdon seanca për menaxhimin e pandemisë Covid-19

Seanca për raportimin e kryeministrit Hoti dhe debat parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, që nisi dje në ora 16:00, do të vazhdojë sot në ora 10:00.

Rreth 5 orë deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë debatuar rreth menaxhimit të situatës së pandemisë.

Seanca që filloi në ora 16:00 e që përfundoi tek në orën 22:00, u karakterizua me shumë debat të ashpër, kryesisht ndërmjet deputetëve të VV-së me kryeministrin Hoti dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Me propozim të shefit të GP-së të VV-së, Rexhep Selimi, seanca për debatin për pandeminë u ndërpre për të vazhduar sot në ora 10:00.

Për këtë temë shëndetësore, kanë mbetur të diskutojnë edhe 22 deputetë.