Arbëri

Projekt-kodi civil konsiderohet diskriminues për komunitetin LGBTI

Ruajtjen e martesës tradicionale dhe mundësimin e martesës mes gjinisë së njëjtë në të njëjtën kohë është duke synuar ta bëjë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi. Një gjë të tillë, Selimi synon ta bëjë përmes një ligji të veçantë, i cili do ta definonte këtë.

Kreu i Ministrisë së Drejtësisë nuk ka dhënë detaje se si do të arrihet kjo në konferencën kur e prezantoi Kodin Civil, e përmes të cilit ndër të tjerash do të rregullohen edhe çështjet që kanë të bëjnë me martesën.

Por, ky përmirësim s’është mirëpritur nga shoqëria civile. Lend Mustafa, aktivist i të drejtave të komunitetit LGBTI, thotë se përmes ndarjes në ligj të veçantë është duke vazhduar diskriminimi.

Sipas Mustafës, ligjet e Kosovës duhet të sigurojnë të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pa bërë dallime.

Lidhur me këtë çështje, KOHA ka pyetur edhe në Ministrinë e Drejtësisë.

Ndonëse nuk ka dhënë shumë detaje, në një përgjigje me shkrim, nga kjo ministri thuhet se përmes Projekt-kodit Civil është arritur të ruhet “identiteti tradicional i martesës në Kosovë mes burrit dhe gruas”.

“Pra, me hyrjen në fuqi të Kodit Civil, martesa është e lejuar vetëm ndërmjet burrit dhe gruas. Megjithatë, me qëllim që hartimi i Projekt-kodit Civil të Kosovës të jetë në përputhje dhe në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, paragrafi 2 i nenit 1138 të Projekt Kodit Civil, ka paraparë që format e tjera të bashkësive civile do të rregullohen me një ligj të veçantë. Një përcaktim i tillë lidhur me format tjera të bashkësive civile është në linjë me praktikat e vendeve të tjera si të Sllovenisë, Hungarisë dhe Malit të Zi”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Ministrisë.

Një ditë, pas prezantimit të Projekt-kodit Civil të Kosovës, organizatat e shoqërisë civile kanë paralajmëruar se “do t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet juridike dhe mekanizmat ligjorë që në këtë Projekt-kod të rregullohen të gjitha format e martesës dhe bashkësive civile pa dallim”.