Arbëri

Thaçi shpeshton vizitat te familjet e bashkëluftëtarëve pas aktakuzës së Speciales

Për çdo ditë nga një vizitë tek familjarët e dëshmorëve e të bashkëluftëtarëve të tij është duke e bërë presidenti Hashim Thaçi që nga njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për aktakuzën ndaj tij.

Në mesin e familjeve që Thaçi u ka shkuar për vizitë është edhe ajo e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, raporton KOHA.

Duke publikuar një fotografi me prindërit e Veselit, Thaçi ka shkruar se ka qenë në shtëpinë e, siç e ka quajtur ai, “vëllait të gjakut të luftës”.

Vizitat e tilla Thaçi i nisi katër ditë pas njoftimit të Prokurorisë. Vendlindja e tij dhe prindërit ishin të parët që i vizitoi Thaçi, për të vazhduar më pas tek familjarët e bashkëluftëtarëve të tij në: Baicë, Abri e Poklek të Drenasit, në Komoran, Reçak, Hallaç të Lipjanit e së fundi në Kaçanik.

Iniciativa e tillë e presidentit Hashim Thaçi është duke u kritikuar nga pjesëtarë të shoqërisë civile.

Erblin Hoxha nga lëvizja “Fol” thotë se vizitat e tilla janë duke u bërë me qëllim të orientimit të opinionit publik në mënyrë që aktakuza ndaj tij të shihet si aktakuzë ndaj luftës së UÇK-së.

Përderisa vazhdimisht bën thirrje për respektim të masave ndaj Covid-19, në fotografitë e postuara nuk shihet se një gjë të tillë e bën vetë presidenti.

E kjo, sipas Hoxhës, është mosrespektim i tij ndaj rekomandimeve të institucioneve të vendit.

“Heronj të luftës dhe të paqes”, është mesazhi i banerit me fotografitë e Thaçit e të Veselit i vendosur në objektin e Hotelit Grand.

E që për vendosjen e tij nuk është marrë leje nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore.

“Mbështetur në Ligjin Për Trashëgimi Kulturore nr. 02/L-88 , në zbatimin e Rregullores nr. 06/2017 për caktimin e institucioneve publike të trashëgimisë kulturore, nenit 14, paragrafit 2.9.15, qendrat rajonale për trashëgimi kulturore janë përgjegjëse për të shqyrtuar kërkesat për vendosjen e materialeve reklamuese në monumentet arkitekturale. Për vendosjen e panove reklamuese në ndërtesën e Hotel Grandit nuk kemi pasur kërkesa qysh para më shumë se një viti. Të njëjtën kërkesë Qendra e ka refuzuar dhe për këtë i kemi njoftuar edhe institucionet kompetente qendrore dhe komunale. Sipas raportit të zyrtarëve nga Qendra, vendosja e panove reklamuese i shpërfytyron dhe dëmton rëndë dukjen dhe vlerat e kësaj ndërtese për të cilat vlera mbrohet”, thuhet në përgjigjeje e drejtoreshës së kësaj qendre, Edona Durguti.

Lidhur me vizitat e kreut të shtetit, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga Zyra e Presidentit, por televizioni nuk ka marrë përgjigje që nga e marta. Thirrjeve të televizionit nuk u janë përgjigjur as zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Më 24 qershor Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri të ditur se ua ka paraqitur Dhomave të Specializuara aktakuzën për shqyrtim, ku presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte.