Arbëri

Çka parasheh legjislacioni i Kosovës në lidhje me gjendjen e jashtëzakonshme

Foto: Koha

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar të shtunën shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Hoti ka mbajtur një videokonferencë me kryetarët e komunave, ndërsa i “ka njoftuar ata se me këtë trend të të prekurve me COVID-19, duhet të konsiderohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme”.

Është neni 131 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës që e rregullon çështjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Në këtë nen shkruan se “Presidenti i Republikës mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, kur: ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes; ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike; ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij”.

Në pikën 2 të këtij neni të Kushtetutës shkruan se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, Kushtetuta nuk suspendohet.

“Kufizimet mbi të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë bëhen vetëm deri në shkallën e nevojshme, për sa më pak kohë që të jetë e nevojshme dhe në përputhje të plotë me këtë Kushtetutë. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ligji për zgjedhjet e Kuvendit dhe të Komunave nuk mund të ndryshohet. Parimet e tjera për veprimet e institucioneve publike gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme rregullohen me ligj, por ato nuk duhet të jenë në shpërputhje me këtë nen”.

Kushtetuta parasheh që në rast të nevojës për marrjen e masave emergjente të mbrojtjes, presidenti i Kosovës, pas konsultimit me kryeministrin, të shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Presidenti shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Brenda 48 orëve, Kuvendi mund të japë pëlqimin me 2/3 e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Pa pëlqimin e deputetëve, dekreti nuk ka forcë e efekt.

Pika tjetër parasheh që presidenti në konsultim me kryeministrin shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Kosovës ose një pjesë të tij.

Gjendja e jashtëzakonshme nuk mund të shpallet për më shumë se 60 ditë. Me pëlqimin e shumicës së deputetëve, nëse është e nevojshme, mund të zgjatet për periudha pasuese prej 30 ditësh. Gjithsej nuk mund të shpallet për më shumë se 90 ditë.

Vetëm kur presidenti konstaton se rreziku ndaj Kosovës është i natyrës së jashtëzakonshme, kuvendi mund të vendos që gjendja e jashtëzakonshme të zgjasë mbi 150 ditë. Për këtë duhen 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

Kushtetuta parasheh edhe mobilizimin e FSK-së, për të ndihmuar në gjendjen e jashtëzakonshme. Presidenti mund të urdhërojë këtë, pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin.

Ndërkohë Këshilli i Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, ushtron funksione ekzekutive, që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me gjendjen e jashtëzakonshme. Presidenti drejton Këshillin e Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Themelimi i Këshillit të Sigurisë së Kosovës është i rregulluar me ligj. Neni 14 i këtij ligji thotë se presidenti kryeson Këshillin e Sigurisë.

Këshillin pos presidentit, kryeministrit dhe ministrave te të cilët duhet të bartet pushteti ekzekutiv, e përbëjnë edhe zyrtarë tjerë, duke përfshirë drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe komandantin e FSK-së.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në mes të marsit kishte përmendur propozimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Me propozimin e tij nuk ishte pajtuar Qeveria Kurti. Ishte kohë kur në Kosovë ishin vetëm 19 raste me koronavirus. Tani çdo ditë po konfirmohen mbi 200 raste të reja.