2 perditesime
21:14

Rukiqi: Në projeksionin më optimist, në Kosovë më 2020 do të humbin 27 mijë vende pune

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, projeksioni më optimist i Bankës Botërore tregon se në Kosovë do të humbin 27 mijë vende pune më 2020, si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia. Në Deskun e KOHËS, Rukiqi ka thënë se në opsionin më të rëndë do të humbin rreth 45 mijë vende pune.

“Nëse e marrim për bazë projeksionin e Bankës Botërore për 5 për qind rënie ekonomike, dhe nëse themi se më 2019 e kemi pasur 25.7 për qind papunësinë, më 2020 neve mund të na shkojë në 28.2 për qind. Ky është projeksioni më optimist. 27 mijë vende pune që mund të humbin këtë vit si pasojë e pandemisë. Nëse shohim pjesën tjetër. Në një skenar tjetër që ka parapa BB-së, minus 8 për qind, mund të humbin diku rreth 45 mijë vende pune”, ka thënë Rukiqi teksa ka shtuar se “padiskutueshëm do të humben vende pune”.

Ai ka paralajmëruar se shumë kompani të mëdha po e shohin si shpëtim Ligjin e Falimentimit, duke kërkuar moratorium për ristrukturim e nëse s’mund të kthehen në treg, shkojnë në bankrot.

Vjeshtë e dimër të zymtë më 2020 për Kosovën ka paraparë edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka.

“Parashikimet që kemi pas janë goxha të zymta. Vjeshta e dimri do të jenë depresivë në aspektin e zhvillimit ekonomik. Deri para 2-3 javësh kemi menduar se megjithatë diaspora do të vijë e do të gjejë mënyrën e formës së kontributit, jo sikur më herët, por me vlerë të madhe. Me shpërthimin e rasteve të reja kur po ka kufizime në vendet e diasporës, na bëjnë të kemi parashikim më të zymtë. Nëse në të kaluarën ka pas forma joformale të lënies së parave tani kjo vetëm është kthyer në forma formale dhe kemi shtim të pagesave, por në përgjithësi kemi tkurrje të dërgesave sepse edhe diaspora është goditur nga pandemia. Të varurit shumë nga këto dërgesa, na ka krijuar llazdrimllëk se gjithmonë do të kemi mbështetje nga ta. Kemi harruar që ndikimi ka qenë anembanë botës dhe edhe ata që kanë mbajtur ekonominë tonë do ta kenë të pamundur”, ka deklaruar ai.


Odat Ekonomike i kundërpërgjigjen Bislimit

Akuzës së ish-ministrit të Financave, Besnik Bislimi se Odat Ekonomike në Kosovë kanë bërë “sondazhe të falsifikuara” kur thoshin se një numër i caktuar i punëtorëve janë larguar nga puna, i janë përgjigjur Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo Ekonomike Amerikane e Kosovës.

Berat Rukiqi nga OEK-u ka thënë se në kohën sa Bislimi ishte ministër, “ka pas tendencë që të krijohej hendek mes sektorit publik dhe atij privat”.

“Kemi pas kontestime. Ne jemi bazuar në projeksione të BQK-së dhe BB-së. Ne flasim 9-10 milionë euro në ditë, duke u bazuar në numrin e ndërmarrjeve që s’kanë punuar fare e për sektorët me mbyllje pothuajse të tërësishme. Qeveria ka shkuar në projeksion më optimist. Por edhe aktualja po thotë 3 për qind rënie ekonomike, e ne po bazohemi në organizata ndërkombëtare që në shumicën e rasteve janë të përafërta. Kemi pas kontestime edhe për kërkesat që kemi bërë gjatë gjithë kohës. Kemi kërkuar që paga ndihmëse 170 euro të jetë 300 apo rreth saj që t’i afrohet pagës mesatare e për të mos krijuar hendek që sektori publik i merrte pa punuar fare, e sektori privat jo. Krijohej pabarazi e madhe. Kjo ishte ndër argumentet. Ne i kemi kërkuar 300 milionë euro pako jo 170. Propozimet e para ende pa filluar masat propozuese shkuan nga dy odat ekonomike e pastaj u bashkuan shoqata biznesi. Për të argumentuar gjetjet tona ne bëmë hulumtim, ai iu referua si sondazh. Hulumtimi u shpërnda te 5000 biznese e 400 iu përgjigjën. Është e rëndë të thuhet mashtrim kur është mostër reprezentative. Bie në harmoni me disa të tjera që janë bërë nga organizata tjera përfshirë BB-në, për më shumë të njëjtën analizë që ish-ministri e cilësoi të fabrikuar iu referua edhe FMN-ja e institucione kredibile ndërkombëtare. Kur e kanë parë metodologjinë s’e kanë vendos blanco në raportet e tyre, por e kanë vlerësuar në bazë standardesh”, ka thënë fillimisht Rukiqi, duke e cilësuar se kjo mund të shpjegohet me thënien “Kur s’ki çka i bën gomarit, i bjen samarit”.

“Kur po kanë probleme politike po lëshohen në nivele të tjera, në këtë rast te sektori privat. Unë përfaqësoj 15 mijë biznese. Numër i madh i kompanive që pret ndihmën nga qeveria, si e kaluara si e reja. Ka qenë gjithmonë ky ping-pongu jo duhet ky jo ai. Por më shqetësuesja është se po flasim për 110 ditë që nga fillimi i masave kufizuese dhe ende si shtet s’jemi në gjendej t’i shpërndajmë nga 170 euro për ata punëtorë, qiratë 50 për qind, e në total kanë mbetur edhe 100 milionë të pashpërndara. Për 110 ditë s’kemi arritur t’i dalim në ndihmë ekonomisë. Po flasim për të lehtësuar jetën e secilit që është prekur direkt nga kjo pandemi”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, Arian Zeka nga Oda Amerikane ka kërkuar nga politikanët të ndalin “bullizmin” ndaj asociacioneve ekonomike.

“Ne flasim me zërin e bizneseve. Nëse gjejmë pakënaqësi e s’i shfaqim ato s’do të ishte e drejtë ndaj tyre. Politika duhet të ndërpresë së godituri asociacionet ekonomike”, ka shtuar ai.

20:47

Zeka: 45 për qind e bizneseve në Kosovë kanë ndërprerë aktivitetin

Ndonëse nuk ka pajtim për ndikimin e pandemisë në ekonominë e Kosovës, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se 45 për qind e bizneseve kanë ndërprerë aktivitetin ose janë ndikuar drejtpërdrejt nga masat kufizuese të qeverisë. Ai është bazuar në një anketë që kanë kryer pesë organizata të biznesit.

Zeka ka folur në emisionin Desku në KTV. Ka theksuar se humbjet ditore janë deri në dhjetë milionë euro në ditë, për shkak të ndikimit të pandemisë.

“Kjo është pjesa tjetër e fatkeqësisë. Ne kemi një shtet, kemi institucione publike, organizata si odat ekonomike, që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, që nuk janë në gjendje të dakordohen për një set informatash për sa i përket ndikimit të pandemisë në sektorin privat apo në ekonomi në përgjithësi”, ka thënë Zeka.

Organizata që ai drejton ka zgjedhur rrugën institucionale, ka përcjellë të dhënat që janë prezantuar nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës. Sipas Zekës guvernatori ka folur për humbje prej nëntë deri në dhjetë milionë euro. Bëhet fjalë për humbje ditore në ekonominë kosovare.

“Me anketën që e kemi kryer bashkërisht pesë asociacione të biznesit, kemi gjetur që diku 45 për qind e bizneseve kanë ndërprerë aktivitetin e tyre, ose janë ndikuar drejtpërdrejt nga masat kufizuese që janë vendosur nga qeveria. Kemi qenë aty diku me parashikimet e BQK-së, respektivisht të dhënat që janë prezantuar nga guvernatori”, ka shtuar Zeka.

Sipas tij, drejtori gjeneral i Administratës Tatimore të Kosovës ka konfirmuar se qarkullimi i të gjitha bizneseve në Republikën e Kosovës është reduktuar për 40 për qind.

Zeka ka thënë se është e pamundur të jepen të dhëna të sakta sa i takon numrit të personave që kanë humbur vendet e punës.

20:26

Odat Ekonomike kritikojnë mosratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, dhe Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, kanë kritikuar skenën politike në Kosovë për mosratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare që Kosovës pritet t’ia sjellin rreth 300 milionë euro.

Sipas tyre, mosuniteti politik në vend vetëm i është shtuar si problem krizës ekonomike me të cilën po përballet Kosova.

“Krizat ekonomike janë gjithmonë me pasoja. Kur ka krizë ekonomike atëherë vjen roli i shtetit, qeverisë që të hyjë me masa të caktuara. Kësaj here kemi krizë që s’është parë. E para sepse vjen në një kohë kur të gjithë indikatorët ekonomikë po ecnin mirë. Kur filloi pandemia gjithçka lëvizi. Edhe në Kosovë duke pasur një cikël sado pak optimist, për periudhë të shkurtër u ballafaquam me atë që s’e kemi pas kurrë problem, me rritjen ekonomike, me uljen e importit, që nënkuptonte ulje të fuqisë blerëse dhe të prodhimit, me ulje të të hyrave buxhetore. Për çdo vend u bë më e vështirë sepse ishte ballafaqim me dy prioritete, e vendime jo të lehta, a të shpëtohet ekonomia apo shëndeti. Normalisht s’ka dilema se shëndeti është primar, por ka qenë situatë e panjohur. Kemi model të paqëndrueshëm të rritjes ekonomike. S’po na mundësohet të ketë vende pune e kemi varësi të madhe nga sektori publik dhe diaspora. Kësaj situate ia kemi shtuar edhe një problem. Ra qeveria në kohë pandemie, automatikisht kufizoi veprimet në përkrahje të qeverisë. Erdhi një qeveri e në të njëjtën kohë pati agjendë jashtëzakonisht të ngjeshur politike, dialogu e tash edhe gjykata speciale. Të gjitha këto në një vend me resurse të mëdha do të ishte problem e lëre më te ne”, ka thënë fillimisht Rukiqi në Deskun e KOHËS.

Sipas tij, kriza ekonomike do të sjellë pasoja afatgjate në Kosovë.

“Ka shumë akterë që duhet të involvohen për shpëtim të ekonomisë. Duhet të kalohen marrëveshjet ndërkombëtare, të shohim që shpëtimi i ekonomisë s’është interes politik, as pjesë e politikave programore të partive, por është interes shtetëror. Në fund, edhe pse s’po e dimë kur mund të përfundojë pandemia, pasojat afatgjata do t’i kemi ekonomike. Kur të ndikojnë në mirëqenie do të kemi cikël të ri të migrimit e të moszhvillimit ekonomik. Probleme afatgjate. Akterët që duhet të shpëtojnë ekonominë janë ata që marrin vendime. Roli primar është i qeverisë, që t’ia japë drejtimin e duhur, kah po do ta çojë buxhetin”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Zeka ka thënë se mosratifikimi i këtyre marrëveshjeve përbën disa mesazhe të këqija, për ekonominë në Kosovë.

“Mosmiratimi i marrëveshjeve që do të duhej të përbënin burim të rëndësishëm të financimit dhe pasi që disa masa kanë mbetur të pazbatuara nga Pakoja Emergjente, çon mesazh të keq te ndërmarrësit dhe punonjësit të afektuar që kanë pritur ndihmën e shtetit. Qe 12 vjet shtet i pavarur e s’kemi pas nevojë si sektor privat për ndihmën e shtetit, një herë po i afrohet mundësia shtetit, tek e fundit kjo është arsyeja pse ekzistojnë, që të mobilizojë të gjitha burimet e tyre në mbështetje të ndërmarrjeve dhe ruajtjes së vendeve të punës. Tash institucionet shfrytëzojnë momentin të ngrenë flamujt partiakë e të bëjnë politikë në rrethanat kur duhet të shihnim konsensus së paku për çështjet ekonomike. Jemi vonë, kemi Pakon Emergjente Fiskale masat e së cilës mbesin të pazbatuara. Sinjali i keq në aspektin e konfidencës dhe të brendshëm, por për jashtë disa prej marrëveshjeve ka kohë që janë negociuar e kanë pritur qe kohë të gjatë. Ky është mesazhi i dytë i keq, i seriozitetit dhe mënyrës se si qeveriset dhe konsistencës së paku në qeverisjen ekonomike. Pra s’kemi konsistencë, dhe legjislativi s’është në gjendje të aprovojë marrëveshje që janë negociuar nga institucionet e vlefshme apo legjitime”, ka deklaruar Zeka.