Arbëri

BE-ja thotë se dialogu s’ndalet pavarësisht gjendjes në Serbi

Foto: AP

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, ka thënë të enjten se vazhdimi i dialogut Kosovës-Serbi do të bëhet siç ishte planifikuar për të dielën, pavarësisht situatës së re në Serbi ku kanë shpërthyer protesta e është rritur numri i rasteve me koronavirus.

Serbia këtë javë njoftoi se do të kthejë masat e kufizimit pas shpërthimit të rasteve të reja me COVID-19, duke nxitur protesta të mëdha mes protestuesve anti-izolim dhe policisë.

Ekipi i krizës në Serbi pritet të mblidhet sërish në Beograd për të vendosur masat kufizuese për operimet e gastronomisë, por akoma s’ka konfirmuar nëse do të riprezantojë masën e orës policore për fundjavë.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, u ka thënë gazetarëve në Bruksel të enjten se “jetët e njerëzve dhe shëndeti janë prioriteti i parë” dhe se “i takon Qeverisë të vendosë, sigurisht, për masat e nevojshme që të adresojë rreziqet për COVID-19”.

Teksa ka mbrojtur “të drejtën për të protestuar paqësisht”, ajo ka thënë se “rregulli publik duhet të garantohet” dhe se “pacenueshmëria e institucioneve demokratike duhet të respektohet”.

Të premten pritet të mbahet “samiti virtual” në Paris, ndërsa dy ditë më pas do të ketë rifillim të dialogut në Bruksel. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është duke qëndruar në Paris, në një vizitë pak ditë pasi aty ishte kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.