Arbëri

Bislimi: Do të ishte antagonizëm të mbështesnim një Qeveri që e konstatojmë jolegjitime

Besnik Bislimi, nënkryetar i Vetëvendosjes, në emisionin Desku në KTV ka thënë se do të ishte antagonizëm nëse e mbështesin një Qeveri të cilën e cilësojnë jolegjitime.

Ai ka kritikuar Qeverinë Hoti për menaxhimin e pandemisë.

“Ky konstatim s’ka nevojë për një arsyetim, numrat apo ritmi me të cilin po shpërndahet virusi i koronës i përngjan më tepër vendeve që janë mbi 10 milionë banorë. Ka të bëjë edhe me neglizhencën që kjo Qeveri e trajton problemin e pandemisë. Kemi pasur 8 viktima brenda një dite, kurse Hoti ka qenë është marrë me idenë se jemi duke e pritur Vuçiqin për dialog”, është shprehur Bislimi.

Sipas tij gjithçka që ka bërë kjo Qeveri e ka bërë gabimisht, ose jo mjaftueshëm.

“Çdo masë lehtësuese që e kishte marrë Qeveria Kurti e kishte marrë me rekomandimet e qarta të IKSHPK-së dhe paralelisht kishte deklaruar se lirimi i masave varet nga situata në terren. Kjo qeveri nuk ka lëvizë me asnjë masë deri para dy ditësh kur situata ka dalë krejtësisht nga kontrolli. Përgjigja duhet të jetë në raport me rekomandimet e IKSHPK-së. Në fakt më nuk na komunikohet mendimi i IKSHPK-së. Shkarkimi drejtorit të SHSKUK-së tregon se ka një problem bukur të madh këtu dhe mbase ka edhe interesa të tjera”, ka thënë ai.

Sipas tij Qeveria Kurti kishte presion shumë më të madh nga bizneset.

“Jeta normale nuk mund të kthehet derisa ke pandeminë. Presioni ka qenë shumë më i madh në Qeverinë Kurti, ne jemi përballur me presion të madh nga përfaqësues të bizneseve, përfaqësues të Odave vazhdimisht kanë thënë se masat nuk janë të mjaftueshme. Prej momentit që ka ardhë Qeveria pas nesh të gjithë këta përfaqësues janë heshtë, që do të thotë se ose kanë pasur marrëveshje të fshehtë për të qenë partnerë në rrëzimin e Qeverisë ose pjesë e partneritetit ka qenë edhe lehtësimi i masave”, ka thënë Bislimi.

Ai ka treguar se pas situatës që ishte nënkontroll radhën e kishte rimëkëmbja ekonomike.

“Në momentin kur ne e kemi lënë zyrat situata ka qenë krejtësisht në kontroll. Ideja ka qenë se si të fillohet sa më shpejtë përmes Pakos Emergjente Ekonomike. Situata gradualisht i afrohej normalitetit. Pritej edhe ardhja e diasporës, që do të ndihmonte ekonominë. Tash është krejtësisht i paparashikueshëm dëmi ekonomik. Dëmi i mirëfilltë do të dihet në pjesën e dytë të ngushtit. Por, kam frikë se Kosova ka rrëshqitur nga një skenar që pritej që rënia të jetë më e ulëta në Ballkan, në një skenar ku rënia pritet të jetë më e larta në gjithë regjionin”, shprehet ai.

Sipas tij nuk mund të përkrahin këtë qeveri.

“Kjo Qeveri nuk mund të kërkojë ndihmën tonë, kish me qenë antagonizëm nëse përkrahim një Qeveri që e konstatojmë jolegjitime, e t’i ndihmojmë në implementimin e synimeve të saj. Ajo çfarë kemi thënë se çdo nismë brenda Kuvendit të Kosovës që ka për synim stabilizimin e situatës do të mbështetet nga VV-ja. Shembull nëse nesër në Kuvend fillon nisma për projektligjin për koronavirusin ne do ta mbështesim. Është gabim që me vendimet tona rrezikojmë shëndetin e deputetëve”, ka thënë Bislimi.