Arbëri

Abdixhiku del pozitiv në COVID-19

Foto: Alban Bujari / Koha

Ish-ministri i Infrastrukturës nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se ka dalë pozitiv në COVID-19. Krahas Abdixhikut, me koronavirus është konfirmuar edhe bashkëshortja e tij.

“Sot unë dhe Albina jemi testuar pozitiv. Ndjehemi mirë dhe nuk kemi ndonjë simptomë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se të dytë janë vetizoluar dhe se po i përcjellin rekomandimet e institucioneve.

“Kujdesi i tyre është i jashtëzakonshëm”, shkruan ai.

Krahas Abdixhikut, edhe disa anëtarë të LDK-së kanë bërë të ditur gjatë javëve të kaluara se janë të infektuar me koronavirus.

Të premten e kaluar, pozitiv kishte dalur deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

“Meqënëse interesimi i miqëve e gazetarëve është i madh për të konfirmuar lajmin nëse jam Covid pozitv. Lajmi është i vërtetë. Më është konfirmuar që analiza ime ka dalur Kovid pozitiv. Gjendja ime është e mirë dhe jam vetëizoluar sipas rekomandimeve”, kishte shkruar ai.

E gjatë javës së kaluar KOHËS i ishte thënë nga LDK-ja se kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, nuk pati nevojë të testohet.

Zyrtarja e LDK-së, Gentiana Azemi, kishte deklaruar se ai ndihet mirë.

“Ju njoftoj që kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ndihet mirë me shëndet nuk ka asnjë problem, prandaj nuk ka pasur nevojë për ta bërë testin”, kishte thënë ajo.

Krahas tyre, pozitiv në COVID-19 kishte dalur shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Në LDK, ndërkaq, nuk kanë pasur të dhëna se cili deputetët e ka bërë testin, e cili jo.