Emërimi i 46 zëvendësministrave është barrë e madhe për buxhetin, teksa në të njëjtën kohë ndikon edhe tek rënia e efikasitetit, ka thënë Visar Rushiti, hulumtues në organizatën D+.
Ai, në “Express Intervistën” e ka ngritur po ashtu shqetësimin rreth mos përcaktimit të portfoliove nëpër ministri.
“Kjo është shumë për buxhetin dhe duhet pasur parasysh se secili zv. ministër ngre pas vetes një numër tjetër të shpenzimeve. Ai do ta ketë një asistent, veturë, shofer, person të sigurimit, ka të drejtën e shpenzimit të faturave, ka telefon në zyre. Të gjitha këto janë shpenzime tjera dhe kjo është krejt e panevojshme”, ka thënë ai.
Rushiti gjatë intervistës ka dhënë detaje rreth njoftimit të lëshuar nga organizata e tij, të premten.
“Realisht sot e kemi lëshuar një thirrje Qeverisë Hoti që ta ndalë emërimin e zv. ministrave”, ka thënë ai, teksa i është referuar faktit se në disa prej ministrive, numri i zëvendësministrave shkon deri në 5.
Ai ka treguar se D+ do të vazhdojë të insistojë që në Ligjin e ardhshëm për Qeverinë, të vihet kufi i qartë për numrin e zv. ministrave.
“Ne nuk e shohim të nevojshme dhe ne do të kërkojmë që në Projektligjin për Qeverinë të jetë një dispozitë që thotë se asnjë ministri nuk mund të ketë më shumë se dy zëvendësministra. Në këtë formë, nëse kemi për shembull 15 apo 16 ministri, nuk i bie të ketë më shumë se 32. Nëse llogarisin sa janë sot, 46 në 16 ministri, i bie që janë shumë. Por tani disa ministri, tani janë 4, e kanë rritur në 5 numrin e zv. ministra”, ka thënë ai.
Rushiti ka thënë se kjo është arsyeja se përse organizata e tij e ka kërkuar përcaktimin e numrit të zëvendësministrave që mund t’i ketë një ministri. Sipas tij, më mirë të jetë e kornizuar çështja e zëvendësministrave, ndonëse disa portfolio mund të mos kenë nevojë për 2.
Ai ka thënë se në LDK, si bartëse e qeverisë, do të duhej të ndihej përgjegjësia për këtë çështje.
“Elementet tjera që i kemi cekur dhe që dallojnë nga qeveritë paraprake është që vendimet e Qeverisë për emërimin e këtyre zëvendësministrave, asnjëri nuk është publik. Ato nuk gjenden në këtë faqe. Edhe kjo çështje duhet të rregullohet me ligj dhe ne kemi bërë thirrje që emrat e tyre të paktën të përditësohen në faqet e të gjitha ministria. Sot emrat e tyre më shumë komunikohen prej medieve, e jo prej një kanali zyrtar”, ka thënë ai.
Sa i përket klientelizmit, hulumtuesi i D+ ka thënë se ideja e klientelizmit është që persona të caktuar janë anëtarë të partive, para se të jenë profesionistë të një dikasteri që mbulon qeveria.
“Realisht e jona është që ta ndërrojmë këtë trend, të mos shkohet vetëm me emërime politike. Ideja është që në këto pozita të jenë profesionistë”, ka shtuar mes tjerash ai.
Sa i përket disbalansit gjinor në Qeverinë Hoti, Rushiti ka thënë se
“Nga 46 zëvendësministra, vetëm 7 janë gra, pra pesëmbëdhjetë për qind”, ka thënë ai.
Sipas tij, meqë procesi i emërimit të zëvendësministrave ende nuk është final, një gjë e tillë pritet të shihet.