Arbëri

Pa EULEX-in, Speciales i pamundësohen veprimet në Kosovë

Descriptive Text

Pa EULEX-in, Gjykata Speciale do ta ketë të vështirë ta kryejë mandatin në Kosovë, ka thënë të martën një burim i gazetës që ka qenë pjesë e grupeve punuese edhe për Ligjin për Specialen e edhe për Ligjin për këtë mision evropian. Kjo, për shkak se misioni evropian i ofron kësaj gjykate mbështetje logjistike dhe operacionale.

Specialja, mekanizëm i drejtësisë që funksionon në Hagë, ka bërë të ditur pesë ditë më parë se presidenti Hashim Thaçi dyshohet për krime lufte, në kohën kur kreu i shtetit ka refuzuar të realizojë letërkëmbimin e çdodyvjetshëm me Brukselin zyrtar në lidhje me vazhdimin e mandatit të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Burimi që ka folur për gazetën ka argumentuar se si mosvazhdimi i mandatit të EULEX-it, apo çfarëdo ndërprerje bashkëpunimi nga ana e institucioneve me këtë mision, do t’ia vështirësonte në masë punën Speciales.

“Pra, ka një përpjekje për ta hequr një hallkë shumë të rëndësishme që punon për llogari të Gjykatës Speciale, siç është EULEX-i. Ndonëse ka dilema juridike se vazhdimi i mandatit të këtij misioni është i varur nga letërkëmbimi apo jo, prapëseprapë në rrethanën kur institucionet e Kosovës nuk do të ofrojnë bashkëpunim, do të vështirësohet edhe çështja e zbatimit të urdhëresave, apo qasja në informata, qoftë në polici apo edhe në gjykata vendore”, ka thënë ky burim.

Pesë ditë më parë Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka gjykuar “të domosdoshëm” nxjerrjen e një deklarate për media, në të cilën është bërë e ditur se në një aktakuzë të paraqitur Hashim Thaçi e Kadri Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas deklaratës, informata është dhënë pasi “besohet se z. Thaçi dhe z. Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e Ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

Deri më tash, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, emërtim ky zyrtar për Gjykatën me seli në Hagë, kanë argumentuar se mandati i tyre do të vazhdojë “derisa Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian që hetimet kanë përfunduar dhe se çdo procedurë nga Dhomat e Specializuara ka përfunduar” e edhe se “që mandati të vazhdojë, nuk kërkohen veprime, formalitete ose njoftime specifike”.