21:30

Emini: Ekziston një mungesë e besimit mes qytetarëve dhe Qeverisë

Drejtoresha ekzekutive e platformës CiviKos, Donika Emini, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se ekziston një mungesë e besimit mes qytetarëve dhe Qeverisë.

Dhe kjo sipas saj reflektohet edhe mosbindjen e qytetarëve për mosrespektimin e masave.

“Qytetarët janë më të pabindur nëse nuk i besojnë një qeverie ose nëse nuk besojnë tek legjitimiteti i saj. Fakti që jemi kështu, të pabindur ndaj udhëzimeve të ministrisë apo Qeverisë. Ekziston një mungesë e besimit mes qytetarëve dhe Qeverisë dhe kjo po reflektohet. Është gjendje emergjente dhe besoj se kjo ka me pas ndikim edhe në dialog, ekonomia. Ekonomia ka me qenë në nivel global dhe nuk e dimë se çfarë impakti do të ketë. Në anën tjetër natyrisht ndërlidhet me dialogun si proces. Ka me qenë shumë probleme, pasi nuk ka kapacitete. Nuk po duket se e ka në dorë situatën dhe kjo po ndikon edhe në fuqinë politike që ka kjo qeveri”, ka thënë Emini.

Ajo ka shtuar se ndryshimi i elitës politike duhet të ndodhë me zgjedhje, e jo me prit Gjykata Speciale të na ndërrojë elitën politike.

Sipas Eminit karantinimi ka qenë një fazë tejet polarizuese.

“Shoqëria kosovare nuk ka qenë kurrë më e ndarë. Fakti që është rrëzuar një Qeveri, pastaj nuk ka kushte për të organizuar zgjedhje, tregon se është përdorur komplet ajo situatë e shkaktuar për të rikapur shtetin”, ka thënë Emini.

21:01

Beqaj: Rast ideal për Gjermaninë të korrigjojë disa gabime dhe të marrë primatin

Politologu, Belul Beqaj, ka thënë se është rast ideal për Gjermaninë që të korrigjojë disa gabime dhe të marrë primatin në BE për të shtyrë çështje të mëdha përpara.

Sipas Beqajt, mungesa e Thaçit në dialog shton problemin “se si do të kalohet një marrëveshje potenciale në Kuvend”.

Ai ka thënë se qysh në vjeshtë mund të ketë zgjedhje të reja në vend. Sipas tij, Qeveria Hoti s’ka legjitimitetin për të përfunduar një marrëveshje me Serbinë.

“Mund ta kem gabim. Pikënisje e mirë për perëndimin e lidershipit që Kosovën e ka sjellë në degradimin total sot. Mundësi e hapjes së derës për rikthimin e lidershipit politik që jo vetëm premton diskontinuitet, por në mendjen e qytetarëve mund të ketë alternativë të re. Kjo mund të ndodhë deri në vjeshtë. Jo që mund të ketë zgjedhje, por s’mund të bëhet asgjë veçmas në raport me marrëveshjen pa dalë në zgjedhje, pa u verifikuar legjitimiteti dhe pa arritur emëruesi të përbashkët të atyre që janë përfaqësues të mendimit ndryshe, apo alternativës që mund ta shtijë Kosovën në binare të reja, që ka munguar deri tash”, ka thënë Beqaj.

Edhe Emini ka thënë se “që nga emërimi i Qeverisë Hoti u krijua përshtypja se kjo qeveri do ta mbështesë Thaçin e pa rol udhëheqës në dialog edhe pse me Kushtetutë mandatin e ka zoti Hoti”.

“Ishte e çuditshme për mua që pas anulimit të vizitës nga Thaçi edhe Hoti nuk shkoi. Nëse pretendon se ke mandat për të udhëhequr dialogun, kështu ka thënë ai, se e ka platformën, e rrëzoi një Qeveri për shkak se u konsiderua anti-amerikane dhe po e refuzon takimin në Shtëpinë e Bardhë në nivel tepër të lartë”, ka shtuar Emini.

Kurse Beqaj ka shtuar se hendikepi kryesor i Qeverisë Hoti është fakti se është rezultat i skenarit të administratës amerikane.

“Administrata amerikane me paralajmërimin e ngritjes së aktakuzës ka përjetuar një nokdaun. E në një formë është edhe kryeministri Hoti. Ka filluar të ndodhë një ndryshim. BE-ja që ka qenë në gjumë nja dy vjet, dhe po dëshiron ta marrë iniciativën, por e ka një fatkeqësi se këtë po dëshiron ta bëjë me Qeverinë Hoti, këtu e shoh problemin kryesor”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij kjo kohë është ideale për Gjermaninë dhe Merkelin që të krijojë sinergji në BE.

“Iniciativa që do të bëhet nga Gjermania dhe Franca, dhe ajo do të marrë primatin që e kishte humbur. Mendoj se është një rast shumë i mirë që Gjermania del në sipërfaqe dhe të korrigjojë disa gabime që i ka bërë në vitin 2007, kur ishte udhëheqëse. Gjermania e ka rast të veçantë e posaçërisht Merkeli të përfundojë karrierën e saj në interesin e BE-së në kuptimin e liberalizimit të vizave (për Kosovën), trysninë ndaj disa shteteve që të na njohë, dhe të ketë një rol që duhet të dëgjohet nga të gjithë dhe të krijohet një sinergji që ka munguar në BE. Shteti i vetëm që mund ta bëjë këtë është Gjermania, dhe Merkeli dhe ka arsye ta bëjë. Mendoj se kjo mund të ndodhë vetëm nëse ndodhin në ndërkohë zgjedhjet në Kosovë”, ka thënë Beqaj.

Beqaj tutje ka shtuar se Serbia nuk është aq e interesuar që të ketë marrëveshje.

“Mes alternativës që ishte për shkëmbim të territoreve dhe mundësisë së ndërrimit të pozitës kushtetuese të pakicës serbe në Kosovë, që do të ishte ‘Kali i Trojës’, më mirë mendoj se do të ishte që ta ruajmë status-quonë. Mendoj se Serbia nuk është shumë e interesuar për të arritur marrëveshjen, dhe çështja e njohjes së Serbisë nuk është e natyrës jetike. Nëse kemi mbijetuar 20 vjet me këtë lidership që e ka degraduar vetveten në këtë masë. Paramendoni një alternativë tjetër se pas zgjedhjeve të reja po vjen një pushtet normal mendoj se do të jetë një mundësi 100 për qind më e madhe”, ka thënë Beqaj.

20:36

Beqaj: Individët nuk janë mbi UÇK-në, s’mund të fajësohet tërësia

Politologu, Belul Beqaj, në emisionin Desku në KTV ka thënë se individët nuk janë mbi UÇK-në, mbi kombin apo shtetin, derisa ka theksuar se nuk mund të fajësohet tërësia për veprimet e disa individëve.

“Pas raportit të Dick Martyt mendoj se paralajmërimi i ngritjes së aktakuzës është mortaja më e rëndë që ka rënë mbi shtetin e Kosovës, mbi kombin e Kosovës, UÇK-në, shkaktar të së cilës janë liderët dhe eprorët ushtarak, përkatësisht lidershipi politik”, ka thënë Beqaj.

Ai ka përmendur tre elemente që janë të rëndësishme në përkufizimin e lidershipit.

“1. Ekzistenca e integritetit politik dhe moral, sikur të ishte lideri aktual dhe lidershipi aktual i Kosovës me vlerën e përkufizimit moral dhe etik aktin e parë që do të bënte do të ishte dorëheqja, këtë nuk e kanë bërë. 2. Përgjegjësia, sikur lidershipi aktual të kishte përgjegjësi të duhur nuk do të kishte lejuar që të ndodhë diçka që i vihet barrë edhe UÇK-së, kombit dhe shtetit të Kosovës. Dhe së treti - Elementi i patjetërsueshëm është me ekzistencën e vizionit të lidershipit. Sikur ky lidership të kishte vizion ne nuk do ta kishim Gjykatën Speciale. Dhe sikur të besonim se do të hiqeshin retë e zeza. Si është e mundur që këta që kanë besuar se do të hiqet retë e zeza në kohën kur kanë bërë trysni për formimin e Speciales, ndërkaq sot kur janë vet objekt potencial të shqyrtimit të aktakuzës mendojnë të kundërtën”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij kjo ka të bëjë me faktin se ne kemi një lidership që s’ka integritet të personalitetit etik, moral dhe politik, nuk jep përgjegjësi për veprimet të cilat i kanë ndërmarrë dhe ka mungesë substanciale të vizionit.

“Dhe me këto tri elemente dyshoj se do të kemi mundësi që të ndryshojmë kahjen e procesit, i cili sipas mendimit tim, do të dëshiroja të dështoj këtë herë, por besoj se gjasat janë reale që të ngritët aktakuza jo vetëm për këta të dy, por edhe disa të tjerë të cilët kanë kontribuuar që të vijmë në këtë gjendje”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se fakti që përmenden emrat e veçantë, mendoj se adresa është e orientuar drejt.

“Dhe fakti se përmenden emrat e veçantë nuk mund të identifikohen me UÇK-në, ata janë pjesë e UÇK-së, por asnjë individë s’mund të jetë mbi UÇK-në, mbi kombin e shtetin. Nuk mund të fajësohet tërësia për shkak të veprimit të disa individëve, ky do të ishte gabim logjik. Damkosja që përmendi Donika në adresë të shtetit të Kosovës e të UÇK-së, ka të bëjë se nuk kemi të bëjmë me ushtarë të thjeshtë, por kemi të bëjmë me ata të cilët e kanë udhëhequr rezistencën e armatosur. Për faktin se dikush dëshiron ta instrumentalizojë tërësinë, UÇK-në, për ta mbrojtur veten nuk u jep komoditetin askujt që të identifikojë rastin e tij me fatin e UÇK-së. Çështja i UÇK-së është çështje se s’mund të diskutohet”, ka thënë Beqaj.

20:17

Emini: Aktakuza ndaj Thaçit, damkosje e madhe për Kosovën

Drejtoresha ekzekutive e platformës CiviKos, Donika Emini, ka thënë se aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndaj presidentit Hashim Thaçi për krime lufte është damkosje e madhe për Kosovën. Në Deskun e KOHËS, ajo ka thënë se Kosova ka dështuar të dokumentojë krimet e luftës dhe me këtë ka lejuar të barazohet me Serbinë në aspektin ndërkombëtar.

Emini ka thënë se fjalimi i Thaçit për këtë aktakuzë ishte i vonuar. Ka shtuar se dyshon që Thaçi do të dorëhiqet edhe nëse i konfirmohet aktakuza.

“Vonoi presidenti në deklarimin e tij. Veseli doli menjëherë e njëjtë pritëm edhe nga Thaçi sepse është president e ishte kthesë kritike për dialogun e ndoshta edhe për imazhin e Kosovës sepse po flasim për president me aktakuzë për krime lufte. Damkosje e madhe për Kosovën, duke marrë parasysh se s’kemi njohje, e s’kemi pranime në mekanizmat ndërkombëtarë e ndodhi para takimit në Washington. Pezulloi procesin e dialogut. Prisja këtë reagim të Thaçit. S’ishte e pritshme dorëheqja. Nuk e di nëse do të ketë edhe nëse konfirmohet aktakuza”, ka thënë Emini.

Sipas saj, për Specialen është diskutuar vetëm në aspektin politik.

Ajo ka thënë se Kosova ka lejuar të barazohet me Serbinë në aspektin ndërkombëtar, për faj të vetin.

“S’kemi bë asgjë si shtet për të dokumentuar krimet e luftës. Para 20 vjetësh kur u diskutua në kuluaret e Shtëpisë së Bardhë u diskutua për një vend viktimë, dhe u intervenua përmes NATO-s ndaj një vendi anëtar në OKB. Pas 20 vitesh po kthehemi në Shtëpinë e Bardhë me Serbinë që dëshiron paqe e Kosova akuzohet për krime lufte. Ndryshimi i narracionit është i dëmshëm. Është faji ynë që s’jemi treguar fare serioz në raport me diskutimet për krimet e luftës”, ka shtuar ajo. “S’kemi hap atë kapitull as për të diskutuar. Kemi memorialët e kemi raste si të Vasfijes, që s’e njohim përmes shtetit. Ne kemi dështuar t’i dokumentojmë ato. Elitat që kanë ndryshuar në 20 vjetët e fundit, nëse e shohin këtë rast s’kanë memorie e mund të barazohen e të dalim të barabartë në letra”.