21:24

Qorrolli: Thaçi ka dështuar në shtetndërtim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dështuar në shtetndërtim, sipas analistit Vigan Qorrolli.

Në emisionin Raport në KTV, Qorrolli ka thënë se kërkimfalja e sotme e Thaçit gjithashtu ishte e vonshme.

“Derisa Thaçi nuk i ka dëgjuar evropianët, ka dëgjuar verbërisht amerikanët. Thaçi ka dështuar në shtetndërtim, prandaj ky ishte njëfarë shfajësimi i tij për gabimet e tij politike, apo kërkim falja e tij e bëjnë atë për inerci në të vetmin rast që ka përdorur një minisinqeriteti, por kjo kërkimfalje ka qenë e vonuar”, ka thënë Qorrolli.

Tutje ai ka folur edhe për Qeverinë Hoti, për të cilën thotë se pandemia i ka dalë nga duart.

“Kryeministri Hoti u zgjodh për dialogun dhe për ta luftuar pandeminë, të parën s’mund ta bëjë dhe e dyta i ka dalë nga dora. Tashmë ai do të duhej t’i adresojë nevojat e qeverisë së tij me një zgjerim të koalicionit ose të largohet dhe të hapë rrugë për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai.

Sipas tij Kosova ditë më të vështira politike se tani nuk ka pasur.

21:23

Gashi: Rama u ftua nga Thaçi që të luajë rol unifikues mes partive politike

Gazetari Fitim Gashi ka thënë se Kosova obligohet që ta pranojë Bashkimin Evropian si ndërmjetësues edhe për shkak të marrëveshjes kontraktuale të cilat i ka nënshkruar me BE-në.

Ndërkaq duke folur për vizitën e Ramës në Kosovë, Gashi ka thënë se ai ka qenë i ftuar nga Thaçi për të luajtur rol unifikues mes partive politike, gjë për të cilën thotë se nuk është i përshtatshëm/

Ai ka thënë se mbetet të shihet nesër, pas takimeve të fundit, se cila ka qenë arsyeja e vizitës së tij në Kosovë.

“Kosova nuk mendoj se e ka luksin të refuzojë negociatorët evropianë dhe të thotë se ky negociator bën ose ky nuk bën. Fundja BE-ja vazhdon të jetë i mandatuari i vetëm sipas një rezolute e cila është miratuar në OKB më 2011. Atëherë janë pajtuar edhe SHBA-ja e Rusia që të jetë Brukseli lehtësues i këtij procesi dhe të çojë palët drejt marrëveshjes. Është një proces që e ka ndërmjetësuar Bashkimi Evropian dhe duhet ta bëjë. Nuk është se nuk ka pasur disa të arritura, por prapë vazhdojnë të jenë prezentë strukturat paralele. Ka shumë çështje që duhet të trajtohen, por ideja e shkëmbimit territorial i ka lënë në hije të tjerat. Për herë të parë në këto negociata as Serbia nuk e refuzon administratën e SHBA-së”, ka thënë ai. “Nga ajo që shihet synimi i Ramës është të krijojë një qeveri të unitetit ku do të përfshihet edhe PDK-ja”.

20:58

Gashi: Qasja e Thaçit ndaj Evropës e ka dëmtuar procesin e dialogut

Gazetari Fitim Gashi, ka thënë se krijimi i Qeverisë Hoti është bërë për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se qasja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ndaj Bashkimit Evropian, e ka dëmtuar procesin e dialogut.

Ai në Raport të KTV-së ka thënë se procesi i dialogut, pas aktakuzës nga Specialja ndaj presidentit Hashim Thaçi, do të jetë i vështirë.

“Nëse i shohim partitë politike, sidomos opozitës atëherë shohim se nuk mund të arrihet konsensusi, gjë që e bënë të vështirë arritjen e marrëveshjes”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se BE-ja ka angazhim që të vazhdojë dialogun, pavarësisht se kush është në pushtet në Kosovë.

Sipas Gashit, Thaçi në vazhdimësi ka sulmuar zyrtarët e BE-së, duke thënë se ata duhet të ia heqin vizat Kosovës e pastaj të shohin nëse mund të hyjnë në këtë proces.

“Kjo qasje e Thaçit e ka dëmtuar procesin e dialogut. Pastaj kjo është e vërejtur edhe me vizitën e (të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav) Lajçakut në Kosovë, ku Thaçi deri momentin e fundit ka thënë se nuk do ta takojë”, ka thënë ai.

20:54

Qorrolli: Mospjesëmarrja e Thaçit në dialog mund të kthejë gjithçka në pikën zero

Analisti Vigan Qorrolli në “Raport” të KTV-së ka thënë se mospjesëmarrja e Thaçit mund ta rikthejë dialogun me Serbinë në pikën zero.

“Kanë ndryshuar rrethanat dhe raporti i forcave, dhe është vështirë e besueshme që Hoti pa pjesëmarrjen aktive të Thaçit mund të dialogojë në Washington për shumë arsye, por dy janë kryesoret: E para është se Thaçi ka qenë i kyçur që shumë kohë në këtë dialog, që shumë kohë ka qenë aleati strategjik i SHBA-së në këtë çështje dhe mospjesëmarrja e tij mund ta rikthejë në pikën zero gjithçka. Hoti nuk ka mbajtur pozita të diplomacisë publike, mospjesëmarrja e Thaçit do ta pauzojë. Grenelli do të tentojë të sjellë në tavolinë kryeministra për të ashtuquajturën nivel teknik për përgatitje, por tashmë nuk është e qartë se si do të reagojë Brukseli karshi kësaj kërkese”, ka thënë Qorrolli.

Ai tutje ka shtuar se gjithë këtë eufori të Grenellit për një marrëveshje të shpejtë, dhe kësisoj nuk pres që do të ketë restaurim të negociatave për arsye se pa Thaçin, pa përfshirjen e të gjitha partive politike dhe pa fituesin e zgjedhjeve të gjashtë tetorit nuk mund të ketë.

“PDK-ja pritet të thyhet në këtë kuptimin e moralit politik pasi dy figurat qendrore nuk do të jenë në tryezat ku do të diskutohet për Kosovën. Dua që të ketë zgjedhje në Kosovë sepse vetëm në këtë mënyrë, duke u qeverisë me vota të shantazhuara nuk besoj se legjitimiteti është i duhuri në këtë Qeveri. Partitë duhet ta krijojnë një Qeveri të unitetit”, ka thënë Qorrolli.

20:34

Qorrolli: Specialja synon të baltosë disa individë të caktuar

Analisti Vigan Qorrolli në “Raport” të KTV-së ka thënë se Gjykata Speciale synon të baltosë disa individë të caktuar.

Ai thotë se ushtarët dhe udhëheqësit e UÇK-së duhet të ndihen krenarë për atë periudhë pasi ishte një luftë e drejtë dhe e pastër.

“Thaçi, Veseli dhe komplet elita politika që kanë dalë nga UÇK-ja duhet të ndihen krenarë sepse ka qenë luftë e drejtë pasi një luftë e tillë qëllimin e ka pas luftimin e represionit serb këtu”, ka thënë Qorrolli.

Ai pret që të ketë deklarata edhe nga shtetet e fuqishme se Gjykata Speciale synon që të gjykojë individët e jo UÇK-në.

“Gjykata synon të baltosë disa individë të caktuar, dhe shpresojmë që të dalin të pafajshëm, por megjithatë do të kemi deklarata të tilla nga SHBA-ja se do të gjykohen individët dhe jo UÇK-ja e Kosova”, ka thënë ai.

Kurse gazetari i KOHË-s, Fitim Gashi, ka deklaruar se ishin pikërisht Thaçi, Veseli e Haradinaj ata që kishin tentuar ta shfuqizonin Specialen, pasi ishin frikësuar se do të ndiqeshin nga ajo.

“Nëse kthehemi prapa e shohim se qoftë Thaçi, Haradinaj e Veseli kanë tentuar të zhbëjnë Specialen, por pati një angazhim të madh të ndërkombëtarëve, veçmas të ambasadorit amerikan. Haradinaj e pati thënë se kanë tentuar ta shfuqizojnë pasi i frikësoheshin asaj”, ka thënë Gashi.