Arbëri

Latifi e vlerëson të vogël dënimin prej 22 vjetësh burgim për Darko Tasiqin

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është shprehur i pakënaqur me dënimin prej 22 vjetësh burgim për të akuzuarin për krime lufte, Darko Tasiq.

Ai përmes një postimi në Facebook thotë se asnjë vërdikt a dënim nuk është i mjaftueshëm kur drejtësia përballet me fytyra nënash të përvuajtura e familjarë të të vrarëve e të masakruarve.

“Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren u dha verdikti për të akuzuarin për krime lufte dhe bartje të kufomave Darko Tasić, i cili u dënua me 22 vjet vuajtje dënimi dhe unë si udhëheqës i një komune e cila ka më së shumti të vrarë e të masakruar, e për më tepër i njëjti akuzohet për krime lufte përveç në Krushë të Vogël, edhe për krimet makabre ndaj krushjanëve dhe djegien e kufomave edhe në Krushë të Madhe, ndihem jo vetëm i prekur thellë nga kjo drejtësi dhe ky përfundim, por edhe shpreh pezmin tim për një dënim kaq të vogël ndaj një krimineli kaq të madh, i cili bashkë me babanë e vet, vëllain e kriminelë të tjerë, veç tjerash edhe dhunuan e i djegën viktimat e veta”, ka shkruar ai.

Latifi thotë se “fakti që qindra krime, masakra, krematoriume po shpërlahen me 22 vjet vuajtje dënimi është i papranueshëm dhe indinjues sepse prek direkt në ndjenjat e atyre që humbën më të dashurit në luftë, na prek ne si pjesëmarrës aktiv në luftë dhe në shtetndërtim, kur dihet se të tilla krime kërkojnë përgjegjësi më të lartë morale, paanësi dhe dënim maksimal, që drejtësia të vihet në vend”.

Ai ka thënë se shteti duhet të këmbëngulë e të kërkojë drejtësi dhe ndëshkim për krimet e Serbisë në Kosovë të kryera nga kriminelët serb.

“Kosova dhe Qeveria jonë duhet të vazhdojë me insistim e të kërkojë me ngulm nga autoritetet hungareze edhe ekstradimin në Kosovë të kriminelit Ljubisa Manitaseviq nga Hoça e Madhe, që ai të përgjigjet para drejtësisë për veprat e bëra, pikërisht këtu në vendin e krimit. Krimineli Manitasheviq u arrestua ditë më parë në Hungari, ku padrejtësisht autoritetet atje paskan marrë vendim që kriminelin ta ekstradojnë në Serbi”, ka shkruar ai.

Sipas Latifit, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet hungareze, por Serbia po e bllokon me kërkesat e saj konkuruese të ekstradimit dhe po i mbron kriminelët.