Arbëri

53 milionë euro për sektorin e bujqësisë

53 milionë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës, kur është nënshkruar Programi për Zhvillim Rural dhe ai i Pagesave Direkte për sektorin e bujqësisë.

Teksa e ka nënshkruar programin ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, tha se me një buxhet ekzistues gjithsej 53 milionë euro, këto dy programe do të ofrojnë një injektim financiar mëse të nevojshëm për likuiditetin dhe zhvillimin e fermerëve dhe agro-përpunuesve, veçanërisht gjatë këtij viti mjaft sfidues për bujqësinë si pasojë e pandemisë me COVID-19.

“Janë këta fermerë dhe këto agro-biznese që prodhojnë ushqimin tonë, nga toka jonë, për familjet tona”, tha ministri Mustafa, duke shtuar se në shërbim të fermerëve dhe agro-përpunuesve, MBPZHR ofron dy programe përkrahëse dhe zhvillimore: Programin për Zhvillimin Rural dhe Programin për Pagesat Direkte.

I pranishëm qe edhe kryeministri Avdullah Hoti. Ai tha se qëndrimi i qeverisë, që sipas tij është edhe pjesë e Programit Qeverisës për mbështetjen dyfish më të madhe të sektorit të bujqësisë nga pakoja për rimëkëmbje ekonomike.

“Kjo që nënshkruani sot është pjesë e buxhetit të rregullt të Ministrisë së Bujqësisë për programin bujqësor, ndërkaq sapo të miratohet Buxheti në Kuvendin e Kosovës të cilin e kemi kaluar në Qeveri tash shpejt, në kuadër të Fondit që është 384 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike si ndihmë bizneseve, qytetarëve dhe bujqve, pjesa e bujqësisë do të ketë një përkrahje të konsiderueshme në ato masat që besoj i keni pa në programin tonë për rimëkëmbje ekonomike”, tha kryeministri Hoti.

Sot gjatë ditës para Ministrisë së Bujqësisë kanë protestuar bujqit. Ata thanë se janë të pakënaqur me grante dhe mosmbështetje financiare. Nga aty, ku i priti ministri Mustafa, ata kërkuar përkrahjen e qeverisë.

Derisa e ka përmendur ndarjen e këtyre 53 milionëve, u bëri thirrje bujqve të aplikojnë.