Arbëri

Grenell: Shkëmbimi i territoreve, ide e Boltonit, jo e Trumpit

Foto: Richard Grenell / Instagram

Emisari i posaçëm i Administratës Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka mohuar se shkëmbimi i territoreve do të jetë temë e diskutimeve mes krerëve të dy vendeve, më 27 qershor në Washnigton.

Grenell i ftuar në “Fox News”, ku foli edhe për librin e shumëpërfolur të ish-këshilltarit për siguri nacionale, John Bolton, "The Room Where It Happened", tha se ideja e shkëmbimit të territoreve është pikërisht e Boltonit.

“Kur jemi te Kosova dhe Serbia, ne do t’i kemi të dy palët në Shtëpinë e Bardhë të shtunën e ardhshme (27 qershor) për të folur rreth një marrëveshjeje historike për lëvizje përpara. Unë në mënyrë konstante po luftojë kundër thashethemeve për shkëmbim të territoreve. Por kjo nuk është politika e Trumpit. Por kur gjurmoni më shumë, të dy palët thonë ‘Mirë, po kjo është ajo që Bolton ka thënë’”, ka thënë Grenell. “Kështu unë po luftoj thashethemet, pasi Bolton ndiqte politikën e ti, jo të Trumpit”

Bolton dhe Administrata Trump kanë shkëmbyer shumë akuza kohëve të fundit.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur procedurat gjyqësore ndaj ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, për t’ia pamundësuar publikimin e librit që ka të bëjë me punën e tij në Shtëpinë e Bardhë. Sipas ankesës së Departamentit të Drejtësisë, libri përmban shumë informacione sekrete.

Vendimi për të nisur procedurat gjyqësore ndaj Boltonit u mor një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se ish-këshilltari mund të përballet me ligjin në rast se e publikon librin.

Libri “The Room Where It Happened” është paraparë që të publikohet më 23 qershor. Por, kundërshtimin e tij Trumpi e ka arsyetuar me pretendimin se çdo bisedë me presidentin është sekrete.