Arbëri

Aktivisti Gjinovci shoqërohet në Polici: Arsye, ekspozimi i plagjiaturave të ministrit Likaj

Aktivisti Rron Gjinovci ka njoftuar se sot është shoqëruar në Polici.

Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se arsye për këtë shoqërim është ekspozimi, sipas tij, i plagjiaturave të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.

“Qytetarë, sapo u shoqërova në stacionin policor Qendra për shkak të ekspozimit të plagjiaturave të ministrit Ramë Likaj.

Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Kjo po ndodh kur ministër i Brendshëm është Agim Veliu i qeverisë jolegjitime Hoti.

P.S. Jam mirë, i shoqëruar nga avokatja Rina Kika”, ka shkruar ai.

KOHA deri më tash nuk ka arritur të marrë deklaratë nga Policia për këtë që ka shkruar Gjinovci.

Sot në mëngjes, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë mbajti ekspozitën me titull “Plagjiatura e Ministrit të Arsimit”, raporton Ekonomia Online.

Rron Gjinovci, nga kjo organizatë, përmendi 19 punimet shkencore që ministri kishte bërë ku vetëm për një punim, sipas tij, duhen 6 muaj deri në një vit për ta përfunduar.

Gjinovci tha se nuk përjashtohen protestat ku do të kërkohet nga ministri Likaj të japë dorëheqjen.

“Pas një pune 3 vjeçare ku përfshihet Ramë Likaj kemi vendosur ta organizojmë një ekspozitë plagjiaturë”, tha ai.

Gjatë hetimeve që janë bërë, Gjinovci tha se revistat ku janë botuar punimet janë mashtruese, raportoi EO-ja.

“Këtu në eksponatin e pare është punim i kopjuar duke mos u cituar pjesa e parë. Eksponati numër tre është plagjiaturë që përmban disa fjali ku gjuha angleze është e mjerueshme”, shtoi ai.

Ai ftoi qytetarët të shikojnë këto eksponate ku ministri Ramë Likaj është përfshirë në plagjiaturë.

“Kjo është një katastrofë sepse mbrëmë ministri foli për punën 20-vjeçare. Dikush për plagjiaturë nuk duhet të vazhdojë punën më”, tha ai.

{gallery}