19:39

Lajçak: Rruga e Kosovës në BE shkon përmes lehtësimit të marrëdhënieve me Serbinë

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Avdullah Hoti ka thënë se rruga e Kosovës në Bashkimin Evropian shkon përmes lehtësimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Lajçak e ka vlerësuar këtë takim me Hotin si shumë produktiv.

“I informova me planet e mia për vazhdimin e këtij dialogu. Folëm me kryeministrin për pritjet tona dhe për hapat konkrete. Pasi të kemi takuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike ne do të takohemi”, ka thënë Lajçak.

Ai ka thënë se e vlerëson qasjen e Qeverisë karshi dialogut, derisa ka theksuar se rruga e Kosovës drejt BE-së është e ndërlidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Dua që Kosova të ecë në këtë rrugë dhe një gjë e tillë mund të bëhet vetëm nga BE-ja”, ka thënë Lajçak.

Sipas tij dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka sjellë rezultate reale.

“Ky dialog i lehtësuar nga BE është duke hyrë në vitin e 10 dhe mbështetet me rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe tashmë ka sjellë rezultate reale dhe pa dialog të lehtësuar nga BE-ja kjo nuk do të ishte e mundur. Rruga e Kosovës në Bashkimin Evropian shkon përmes lehtësimit të marrëdhënieve me Serbinë. Bashkimi Evropian është i gatshëm dhe ka vullnetin të ndihmojë për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Lajçak.

Lajçak sot në Kosovë ka takuar edhe presidentin, Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentaren Vjosa Osmani.

19:34

Hoti takon Lajçakun: Marrëveshja me Serbinë e rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe BE-së

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe të BE-së.

“Në emër të Qeverisë e falënderova për angazhimin Lajçakun. Ai në Kosovë është i mirëpritur sepse ai flet në emër të 27 vendeve të BE-së. Edhe sot në takim e informova për qasjen tonë karshi procesit të dialogut. Për një dialog që përfundimisht e mbyll marrëveshjen dhe çështjet e hapura që i kem me shtetin fqinj. Kjo marrëveshje është e rëndësishme sigurisht për Kosovën dhe Serbinë por edhe për të gjithë rajonin por edhe për stabilitetin e komplet BE-së”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se është i kënaqur dhe i inkurajuar me mesazhet e Lajçakut për përkushtimin e tij në këtë proces në emër të 27 vendeve të BE-së.

“I tregova dhe i shfaqa gjithë interesimin tonë për të mbyllë këtë proces. Jemi të përgatitur dhe e kemi platformën tonë. Lajçak ka agjendë të ngjeshur gjatë këtyre ditëve për të takuar të gjitha palët dhe pres që në fund të vizitës së tij të takohemi sërish për të diskutuar për çështjet teknike”, është shprehur Hoti.

18:45

Osmani i kërkon Lajçakut dialog ku s’diskutohet për territore

Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se në këtë proces nuk duhet të ketë negocim për territore.

Në konferencën për media, Osmani ka shtuar se Qeveria është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kosovën në dialog e se Kuvendi duhet ta mbikëqyrë.

“Shpreha gatishmërinë që të kemi rol sa më mbikëqyrës mbi Qeverinë që është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces. Presim të ketë dialog mes dy palësh të barabarta dhe se ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje të ndërsjellë. Si Kuvend kemi miratuar shumë rezoluta që presim të respektohen nga Qeveria, që s’ka negocim për territorin, sovranitetin e rendin tonë të brendshëm. Duhet të jenë tri parime udhëheqëse mbi të cilat ndërtohet procesi i dialogut, përndryshe do të kishte rezultat të paimplementueshëm në terren”, ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, Lajçak ka thënë se ka informuar Osmanin për planet dhe metodologjinë me të cilat synon të vazhdojë procesi i dialogut.

18:10

Lajçaku pret bashkëpunim me SHBA-në për dialogun Kosovë-Serbi

Një ditë pasi u konfirmua se më 27 qershor në Washington do të takohen Kosova e Serbia, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se pret bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në për këtë çështje.

Ai ka thënë se ende nuk e di nëse do të jetë pjesë e takimit në Washington.

“Gjithçka që është arritur në dialog është rezultat i punës së përbashkët dhe të ngushtë mes SHBA-së dhe BE-së dhe pikërisht është kjo ambicie që të vazhdojmë në këtë mënyrë dhe presim bashkëpunim shumë të ngushtë me SHBA-në”, ka thënë Lajçak pas takimit me Thaçin.

“Mandati im është shumë i qartë, të ndihmoj në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese mes Kosovë dhe Serbisë që do të normalizojë marrëdhëniet dhe do të zgjidhë të gjitha problemet dhe do të jetë e pranueshme për vendet e rajonit dhe vendet anëtare të BE-së. Unë pres të mbyll këtë proces që ka nisur më 2011 me një konkluzion të suksesshëm dhe kjo është pikërisht ajo që dua ta bëj. Takimi im me Thaçin ishte konstruktiv, i dobishëm lidhur me planet dhe idetë me afatet dhe metodologjinë dhe ne do të vazhdojmë sigurisht komunikimin tonë. Do t’i takoj edhe përfaqësuesit e partive të Kosovës, kryetaren e Kuvendit, kryeministrin dhe përfaqësuesit e partive politike dhe më pas do vazhdoj me vizitën time në Beograd që të nisim përgatitet për dialogun dhe ne presim që dialogu të rinisë në Bruksel shume shpejt”, ka thënë tutje Lajçak.

17:52

Thaçi i kërkon Lajçakut liberalizimin e vizave dhe njohje nga Serbia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, ka thënë se pozicioni zyrtar i Kosovës është që në këtë proces duhet të fillohet me liberalizim të vizave e të përmbyllet sa më shpejt me njohje reciproke mes dy shteteve.

“Ne kemi besim të patundur dhe besim të plotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përqafojmë vlerat evropiane dhe jemi evropianë, dhe në ketë drejtim do të punojmë fuqishëm që këto vlera të ngadhënjejnë, por edhe të jemi të vlerësuar nga BE. E theksoj, BE, i thash edhe zotit Lajçak, është vonuar në raport me procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën, është vonuar shumë, dhe duhet të lëvizë më shpejt. Natyrisht që Kosova do të jetë me datën 27 qershor më Shtëpinë e Bardhë, ne besojmë plotësisht në angazhimin e sinqertë dhe shumë të vendosura të administratës së ShBA-së, por në fund të fundit për ne është me rëndësi jetike, dhe besoj qe do të ndodhë, që edhe SHBA-ja edhe BE-ja do të kenë një koordinim të suksesshëm si partnerë strategjikë për Kosovën, Serbinë, Ballkanin Perëndimor për të ardhmen euroatlantike të terë rajonit si tërësi”, ka thënë Thaçi.

“Çdo përpjekje që qon në normalizimin e plote të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që nënkupton edhe paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor është e mirëseardhur. Dua të besoj që do të kemi veprime konkrete dhe dobi për dy vendet dhe popujt tanë nga ky angazhim. Kosova ka implementuar shumë angazhime, kritere dhe standarde të nevojshme dhe të domosdoshme, që ka marrë si obligime ndërkombëtare edhe me dokumentin e presidentit Ahtisari, por ajo që dua ta them është se, për çka edhe i konfirmova pozicionin zyrtar të shtetit të Kosovës në këtë proces edhe zotit Lajcak, është që ky proces duhet të fillojë me liberalizimin e vizave ndërsa duhet të përmbyllet në fund të këtij procesi sa më shpejt që është e mundur, jo në një proces të pafund, me njohje reciproke të shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Lajçak ka thënë se emërimi i tij tregon se “BE-ja është shumë serioze kur vjen tek çështjet e rajonit”.

“Ne do të vazhdojmë komunikimin. Do të vazhdoj të takoj përfaqësuesit tjerë dhe do të vazhdoj vizitën time edhe në Serbi”, ka thënë Lajçaku.

17:05

Nis takimi Thaçi-Lajçak

Ka nisur takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak ka arritur sot në Prishtinë për një vizitë treditore ku do të takojë krerët e institucioneve të Kosovës për të diskutuar rreth rifillimit të dialogut.

Diplomati sllovak do të takohet sot edhe me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Avdullah Hoti.

Sot në mëngjes, Thaçi kishte thënë se nuk do ta takojë Lajçakun nëse s’ka diçka konkrete për të thënë.

Kjo është vizita e parë e emisarit evropian për dialogun në Kosovë pas marrjes së detyrës dhe ajo zhvillohet një ditë pasi emisari amerikan Richard Grenell bëri të ditur rifillimin e dialogut për 27 qershor në Washington.