1 perditesime
21:28

Gucati: Që nga përfundimi i luftës 68 veteranë janë vetëvrarë

Hysni Gucati, kryetar i OVL të UÇK-së, në emisionin Raport në KTV ka thënë se rreth 68 veteranë janë vetëvrarë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Ai thotë se edhe pas 20 vjetësh veteranët janë në një situatë të rëndë.

“Ky përvjetor i çlirimit i gjen veteranët në një situatë të palakmueshme ku në realitet kemi një numër të madh të veteranëve, ku një numër i tyre janë të sëmurë dhe disa prej tyre jetojnë në varfëri të skajshme dhe jo ashtu siç kemi menduar që 20 vjet pas luftës ata t’i gjejë të shëruar, e të punësuar. Përgjegjësinë e mbajnë qeveritë e pasluftës, të gjitha që kanë qenë në pushtet”, ka thënë Gucati.

Tutje ai ka thënë se nuk kanë marrë mbështetje gjatë pandemisë nga Qeveria Kurti.

“Gjatë kësaj kohe të pandemisë iu kemi drejtuar ish-kryeministrit Kurti me një kërkesë që të futen në paketën fiskale të futen invalidët, veteranët dhe fëmijë të dëshmorëve por kjo ka hasur një vesh të shurdhër. Por, ne në mundësitë tona jemi munduar të jemi pranë tyre”, ka thënë ai.

Gucati tutje ka thënë se sivjet kanë vdekur 52 veteranë, që janë vdekje natyrale, por që nga paslufta 68 veteranë janë vetëvrarë.

“Kemi numër të madh, vetëm kohëve të fundit, që nga janari kanë vdekur mbi 52 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kemi emra e mbiemra. Edhe 12 në spitalet e Turqisë që janë duke u shëruar nga kanceri. Një shok i ynë që është në gjendje të vështirë, pasi kemi probleme që edhe spitali t’i pranojë. Rreth 99 për qind janë vdekje natyrale, por ka pasur edhe vetëvrasje, që janë rreth 68, nëse nuk gaboj, prej përfundimit të luftës”, ka thënë Gucati.

Sipas tij veteranët kanë gjendje të rëndë për shkak të traumave.

“Kemi gjendje shumë të rëndë për shkak të traumave, gjendja ekonomiko-sociale, kanë fëmijë dhe nuk mund t’i shkollojnë dhe kjo bën ndikimin e tyre. Por, veçanërisht për shkak të traumave të luftës, pasojat më të mëdha janë nga lufta”, u shpreh ai.

Ai thotë se presin që të dalë ligji edhe në parlament, dhe se tani janë në fazën përfundimtare të përgatitjes së Ligjit për vlerat e luftës dhe veteranët, që sipas tij duhet të kenë trajtim më të mirë.

Tutje ai ka folur edhe për Ligjin për veteranët, që thotë se asnjëra prej qeverive të mëparshme s’kanë punuar në këtë aspekt.

“Vetëm me Kurtin nuk jam takuar. Por, kam pasur takim me Haradinajn, Mustafën, kam pasur takim me të gjithë në mandatin tim. Ata gjithmonë siç e kanë zakon, na kanë thënë se do të kryhet kjo punë dhe shumë shpejt do të merremi me këtë punë, por nuk janë marrë me këtë punë fare. Ligji që ka mbet në sirtarët e tyre besoj që edhe pluhuri i ka mbuluar”, është shprehur Gucati.

Tutje Gucati ka mohuar se OVL e UÇK-së ka marrë së fundmi 390 mijë euro.

Ai thotë se 81 mijë euro janë ndarë për OVL-në, tetë mijë euro janë ndarë për katër veteranë për shërim, dhe 71 mijë janë ndarë për baja, kurse të tjerat janë ndarë për shoqatën e invalidëve dhe shoqatën e dëshmorëve.

Derisa sa i përket ndihmës psikologjike Gucati thotë se shumë prej veteranëve nuk lajmërohen.

20:43

Qeriqi thotë se institucionet i anashkaluan veteranët e UÇK-së, paralajmëron protesta

Xhevdet Qeriqi nga Këshilli për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve, ka thënë se një pjesë e madhe e veteranëve të UÇK-së vazhdojnë të ballafaqohen me probleme shëndetësore dhe ekonomike.

Ai është ankuar se institucionet në vend nuk kanë bërë mjaftueshëm për këtë kategori. Ai thotë se pas shumë presioneve Kuvendi ka miratuar ligjin për veteranë, ndonëse shton se shumë akte nënligjore të tij nuk respektohen.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë ndarë fonde për këto kategori por sipas tij, nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Qeriqi në RAPORT të KTV-së ka thënë se janë duke i shqyrtuar edhe protestat si shenjë pakënaqësie për anashkalimin e shoqatave të dala nga lufta.

“Është e vështirë ta kenë trajtimin adekuat sepse kanë plagë të ndryshme. Një pjesë prej tyre janë shëruar jashtë, institucionet kanë ndarë disa fonde, por kemi raste që kanë ende nevojë dhe nuk po arrijnë t’i sigurojnë mjetet për shërim”, ka thënë ai.

Qeriqi ka shtuar se është premtuar se do të ndërtohet një qendër post-traumatike për ish-luftëtarët e UÇK-së, por se një gjë e tillë nuk është realizuar kurrë.

Tutje ai ka thënë se institucionet kanë bërë pak që t’iu ndihmojnë ish-ushtarëve të UÇK-së.

“Deri në vitin 2015 veteranët nuk kanë përfituar asgjë, por për shkak të presioneve e grevave që kemi bërë kemi arritur q këto kategori të përfitojnë së paku pensione”, ka thënë ai.

Qeriqi është shprehur pesimist se do të ndryshojë qasja ndaj këtyre personave nga institucionet.

Ai thotë se janë duke diskutuar që të organizojnë protestë në mënyrë që institucionet të mos i anashkalojnë këto kategori.

Ai thotë se ata nuk kanë hyrë fare në Pakon Emergjente.